You are on page 1of 61

Efektet e gjakmarrjes mbi gratë

dhe vajzat në Shqipëri:


Si mund të kontribuojnë gratë në trajtimin e kësaj dukurie

GENDER+

Tiranë, 2013
Kryetare e grupit të punës:
Saemira Gjipali (Pino)

Grupi i punës: (sipas rendit alfabetik)


Adriana Berberi
Erka Çaro
Migena Kapllanaj
Sonila Danaj

 Instituti Shqiptar për Çështje Publike – Tiranë, Maj 2013

Rr."Sami Frashëri", Nr 41, Tiranë


Tel. +355 04 2430 333
Fax. +355 04 2252 621
E-mail: director.aipa@umb.edu.al
Website: aipa.umb.edu.al

-2-
Ky studim u mbështet nga UN Women – Shqipëri.
Pikëpamjet e shprehura nga autoret e këtij raporti
nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin dhe
pikëpamjet e UN Women apo të Kombeve të
Bashkuara.
Autoret falënderojnë në mënyrë të veçantë Znj. Estela Bulku koordinatore kombëtare e
UN Women - Shqipëri, për komentet dhe sugjerimet e saj mbi draftin e parë të këtij
raporti.

-3-
I/e nderuar lexues,
Ky studim u ndërmor në ditët kur shoqëria shqiptare ishte ende e tronditur nga
bilanci tragjik i vitit 2012, i vrasjeve të grave e vajzave.
Të mbështetur nga UN Women, nisur nga premisat e Rezolutës 1325 të OKB
për sigurinë e grave në situata konflikti dhe pas tij, ne vumë në fokus të këtij studimi
gratë në situatë gjakmarrjeje, për të analizuar statusin e tyre jo vetëm si viktima
potenciale të shumëfishta, por edhe si faktorë ndryshimi e vetëndryshimi.
Realiteti i tyre brenda mureve të ngujimit, me jetën që çdo ditë shteron pak e
nga pak, e shënjestruar nga zjarri i armës, varfëria, dhuna, ishte shumë më i hidhur
nga çfarë na ofrojnë media, literatura dhe raportet qeveritare.
Ai duhet ndryshuar!
Shpresojmë që ky studim t’i shërbejë qëllimit përse u krye. T’u japë zë dhe rol
grave që janë brenda atyre mureve të izolimit! Bashkë me këto gra dhe vajza, të gjithë
ne, aktorët shtetërorë, institucionet fetare, organizatat e shoqërisë civile, media,
institucionet akademike t’i shembim sa më shpejt dhe këto mure izolimi kriminal.
Mirënjohje për gratë dhe vajzat e familjeve të ngujuara, që na besuan rrëfimet
e tyre, pa të cilat ky studim nuk do të ishte realizuar.
Falënderojmë drejtuesit e institucioneve publike dhe ekspertët e shoqërisë civile
për informacionin që na dhanë, rekomandimet dhe kohën që na kushtuan duke
kontribuar në përgatitjen e këtij studimi.
Një falënderim i veçantë për ndërmjetësuesit, këto gra dhe burra fisnik, të cilët
mundësuan kontaktet tona me gratë e familjeve të ngujuara.
Ky studim u realizua falë mbështetjes financiare të UN Women.

-4-
PASQYRA E LËNDËS
PËRMBLEDHJE ......................................................................................................................... - 7 -
1. HYRJE ............................................................................................................................ - 10 -
2. METODOLOGJIA............................................................................................................. - 10 -
3. VËSHTRIM NË LITERATURË ............................................................................................ - 15 -
3.1 GRATË DHE KONFLIKTI ............................................................................................................................. - 15 -
3.2 ROLI I GRAVE NË VENDOSJEN DHE RUAJTJEN E PAQES........................................................................................ - 17 -
3.3 ÇFARË ËSHTË GJAKMARRJA: NJË PËRKUFIZIM ................................................................................................... - 18 -
3.4 GJAKMARRJA SI NJË PRAKTIKË ZAKONORE ...................................................................................................... - 19 -
3.5 GRATË NË KANUN .................................................................................................................................. - 20 -

4. GJAKMARRJA NË DITËT E SOTME ................................................................................... - 21 -


4.1 GJAKMARRJE APO VRASJE PËR HAKMARRJE ...................................................................................................... - 22 -
4.2 TË DHËNA MBI GJAKMARRJEN ..................................................................................................................... - 23 -
4.3 SHKAQET DHE PASOJAT E GJAKMARRJES ........................................................................................................ - 26 -
4.4 GJAKMARRJA DHE GRATË .......................................................................................................................... - 27 -

5. ROLI I INSTITUCIONEVE DHE I SHOQËRISË CIVILE ......................................................... - 27 -


5.1 LEGJISLACIONI DHE MEKANIZMAT INSTITUCIONALË ........................................................................................... - 27 -
5.2 RENDI DHE DREJTËSIA .............................................................................................................................. - 29 -
5.3 SHËRBIMET SOCIALE DHE QEVERISJA VENDORE .............................................................................................. - 33 -
5.4. SHOQËRIA CIVILE .................................................................................................................................. - 35 -

6. ANALIZA NGA PERSPEKTIVA E GRAVE TË PËRFSHIRA NË SITUATË GJAKMARRJEJE ........... - 39 -


6.1 PROFILI I FAMILJEVE TË PËRFSHIRA NË GJAKMARRJE ........................................................................................... - 39 -
6.2 KUSHTET EKONOMIKE DHE SOCIALE ............................................................................................................ - 40 -
6.3 NDIKIMI I GJAKMARRJES NË JETËN E GRAVE .................................................................................................... - 41 -
6.4 SITUATA E FËMIJËVE................................................................................................................................ - 42 -
6.5 PERCEPTIMI I ROLIT TË SHTETIT ................................................................................................................. - 44 -
6.6 PERCEPTIMI I ROLIT TË AKTORËVE TË TJERË: MEDIA, SHOQËRIA CIVILE, INSTITUCIONET FETARE ................................... - 45 -
6.7 ROLI I GRAVE NË FALJEN E GJAKUT .............................................................................................................. - 46 -
6.8 BARRA E SHUMËFISHTË E GRAVE ................................................................................................................ - 48 -
6.9 A JANË GRATË VENDIMMARRËSE NË FAMILJET E NGUJUARA? ............................................................................... - 49 -

PËRFUNDIME ........................................................................................................................ - 50 -
BIBLIOGRAFIA ....................................................................................................................... - 56 -
SHTOJCA............................................................................................................................... - 59 -

-5-
SHKURTIME

AIPA Albanian Institute of Public Affairs


ASHMDF Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve
CEDAW Convention on the Elimination of Discrimination against Women
KSHNJ Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike
MPÇSSHB Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
NE Ndihma Ekonomike
ODA Open Data Albania
OJF Organizatë Jofitimprurëse
OKB Organizata e Kombeve të Bashkuara
SOS - Children’s Villages in Albania
UN United Nations
UNDP United Nations Development Programme
UNIFEM United Nations Development Fund for Women
US United State (Department)

-6-
PËRMBLEDHJE
Ky studim fokusohet në analizën se si ndikohen gratë dhe vajzat nga gjakmarrja dhe si
mund të kontribuojnë ato vetë për të lehtësuar dhe zgjidhur situatën në të cilën
ndodhen. Ai është kryer në periudhën shkurt-prill të këtij viti dhe u paraqit si draft në
tryezën e rrumbullakët, të organizuar më 29 prill 2013, posaçërisht për të marrë
sugjerime nga ekspertë dhe aktorë të rëndësishëm institucionalë shtetërorë dhe të
shoqërisë civile. Një pjesë e mirë e rekomandimeve që u bënë u reflektuan në raport.
Studimi trajton çështjet e mëposhtme: Si ndikon gjakmarrja mbi jetën e grave?
Si mund të kontribuojnë gratë në zvogëlimin dhe çrrënjosjen e gjakmarrjes? Si ta
kuptojmë më mirë fenomenin e gjakmarrjes në Shqipëri?
Literatura dhe realiteti na sugjerojnë se gjakmarrja në Shqipërinë e sotme është
një formë e vrasjes për hakmarrje, e justifikuar me normat e praktikës primitive, por
që ngjan me të vetëm në qëllimin për të vrarë atë që ka kryer krimin apo një anëtar
tjetër të familjes së tij dhe në faktin se familjet ngujohen për të mbrojtur jetët e tyre.
Nisur nga interpretimi konkret i Rezolutës 1325 të OKB (2000) për sigurinë e
grave dhe vajzave në kushtet tona, analizën e përshkon perspektiva gjinore, duke
përbërë të veçantën në tërësinë jo të pakët të raporteve, monografive, artikujve për
këtë problematikë. Nga konsultimi me literaturën në shqip jemi të sigurt se nuk ka një
trajtesë ekskluzive me fokus gratë dhe vajzat dhe përvojat e tyre në këtë lloj situate
konflikti.
Metodologjia që zgjodhëm ishte rishikimi i të dhënave dhe studimeve kryesore
ekzistuese të periudhës pas vitit 1991 dhe analiza e mbështetur në të dhëna të reja
empirike, të mbledhura nëpërmjet metodës cilësore të kërkimit. Janë përfshirë
gjithashtu vëzhgimet nga puna në terren si dhe ditarë të intervistueseve. Intervistat
janë të regjistruara, me përjashtim të 2-3 rasteve kur të intervistuarat nuk e pranuan
regjistrimin.
Të bindura prej të dhënave nga burime të shumta, se me gjithë shpërndarjen
gjeografike që ka sot dukuria hakmarrje/gjakmarrje, kjo e fundit vazhdon të ruajë një
dimension të fortë lokal, zgjodhëm Shkodrën dhe rrethinat e Tiranës si zona ku do të
kërkonim të dhënat cilësore. Me ndërmjetësimin e disa grave dhe burrave fisnikë, që
punojnë për lehtësimin e situatës së familjeve në situatë gjakmarrjeje, arritëm të
intervistonim drejtpërsëdrejti 12 gra dhe vajza prej tyre, dhe të dëgjonim histori jete të
tyre, të fëmijëve dhe të familjarëve të tjerë.
Intervistat u konceptuan gjysmë të strukturuara, për të na lejuar fleksibilitet në
lidhje me rrethanat konkrete të secilit prej rasteve. U hartuan pyetje të thjeshta dhe
bëmë shumë kujdes për të ruajtur hapësirat e secilës prej grave që intervistuam, për
të mos cënuar asnjë parim etik, për hir të përftimit të sa më shumë të dhënave.

-7-
Një grup tjetër që targetuam për intervista, ishin personat kyç të informuar për
këtë dukuri, drejtues institucionesh në nivel kombëtar dhe vendor dhe ekspertë të
sektorit publik e të shoqërisë civile.
Kërkimi tregoi se ndryshe nga si perceptohet (edhe të dhënat sasiore ndikojnë
në këtë perceptim. Ato përveçse kontradiktore, janë edhe, sipas një termi të huazuar
nga literatura feministe, “gender blinded”) gratë janë drejtpërsëdrejti në ndikimin e
gjakmarrjes: përjetojnë dhe vuajnë dhimbjen për humbjen e babait, bashkëshortit,
djalit, vëllait e më tej; i tremben zinxhirit vrastar dhe jetojnë me frikën se cili nga të
afërmit do të jetë viktima e radhës; kur familja është në izolim (ngujim apo
vetëngujim) gratë janë nën presionin e dhunës mashkullore, jo vetëm psikologjike, por
edhe fizike e seksuale, të cilën në më të shumtën e rasteve, as nuk e konsiderojnë dhe
as e denoncojnë, madje ka raste që edhe e justifikojnë për shkak të situatës që
përjetojnë bashkëshortët apo djemtë; kur këta të fundit janë vrarë, ngujuar apo
qëndrojnë të fshehur, gratë mbajnë peshën e përballimit të jetesës ditë pas dite të të
gjithë familjes; përveç roleve tradicionale absolutisht të pandryshuara, grave u
“delegohet” edhe roli i gjetjes dhe siguruesit të vetëm të të ardhurave - realisht kryejnë
rolin e kryefamiljares; ato kanë shqetësimin amtar të jetës, por edhe të së ardhmes së
fëmijëve. Fëmijët e tyre janë të privuar nga një fëmijëri normale dhe rriten me frymën
e hakmarrjes e të urrejtjes si dhe me frikën se mund të bëhen shënjestër e
hak/gjakmarrësve; gratë ndihen të margjinalizuara dhe të harruara nga të afërmit,
komuniteti dhe shteti; janë nën presionin psikologjik edhe të paragjykimit se mund të
perceptohen nga të tjerë si familje kriminelësh; ka raste (sado të pakta) që edhe gratë
apo vajzat janë vrarë apo përfshirë në vrasje.
Përveç rolit të tyre primar në mbajtjen e familjes, gratë ende e konsiderojnë
veten në një pozicion varësie, edhe në rastet kur burrat nuk janë të pranishëm në jetët
e tyre. Ato marrin rolin e kryefamiljares përkohësisht deri sa një nga fëmijët djem të
rritet. Gjithashtu e konsiderojnë veten tepër të pafuqishme në procesin e pajtimit
duke gjykuar se kjo është një çështje burrash.
Megjithëse jo objekt i studimit, është evidentuar progresi, për sa i përket
legjislacionit, veçanërisht atij penal, ngritjes së strukturave të reja në përbërje të
policisë së shtetit, në strukturat e pushtetit vendor etj. Janë paraqitur përpjekjet për ta
trajtuar çështjen në nivel politikash, të paktën pjesërisht apo në koordinim me
përpjekje të tjera siç është lufta kundër dhunës në familje, por zbatimi mbetet i
kufizuar. Ka disa politika lehtësuese, sidomos për arsimimin e fëmijëve të ngujuar dhe
trajtimin e tyre, apo për llogaritjen e ndihmës ekonomike (NE).
Mbështetur në të gjitha këto, kemi konkluduar se institucionet shtetërore, edhe
nën presionin e organizatave civile kombëtare dhe ndërkombëtare, kanë shfaqur
vullnet për ligje dhe politika lidhur me gjakmarrjen. Por ato u adresohen kryesisht
pasojave dhe kanë rezultate të pjesshme në menaxhimin e tyre.
-8-
Përcaktimi i grave në familjet në situatë konflikti (gjakmarrje) si kategori të
veçanta në grupet e përfituesve për mbështetje institucionale mbetet ende i
pazhvilluar.
Të vetmit aktorë që duket se janë të përfshirë drejtpërdrejt janë organizatat e
shoqërisë civile dhe institucionet e besimit fetar, të cilat sigurojnë kontribute
humanitare dhe shërbime sociale specifike për familjet në gjakmarrje, edhe pse të
kufizuara në kapacitetin e tyre për t’i ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme dhe
tërësore.
Të paadresuara si duhet mbeten efektet sociale dhe ekonomike të gjakmarrjes.
Pavarësisht se duket se në shënjestrën e zjarrit janë kryesisht burrat, gjakmarrja bën
që të gjithë anëtarët e familjeve të përfshira të vihen në rrezik dhe të vuajnë pasojat.
Veç kërcënimit për jetën, nga gjakmarrja burojnë edhe probleme të tjera sociale,
psikologjike dhe ekonomike.
Situata konfliktuale i ka varfëruar këto familje dhe i ka detyruar ato të migrojnë
nga fshati, komuniteti apo qyteti. Ato manifestojnë probleme të shumëfishta sociale
dhe shëndetësore dhe kanë pak ose aspak kontakt me botën jashtë.
Përfshirja e komunitetit është e ulët, edhe për shkak të frikës nga reaksioni që
vjen pas. Duket sikur në përgjithësi gjendja pranohet si një çështje e rrezikshme dhe
private e familjeve të përfshira në gjakmarrje, ku nuk duhet të ndërhyjë askush.
Nga intervistat na rezultoi se faktorët socialë dhe kulturorë kanë ndikim më të
madh mbi gjakmarrjen krahasuar me faktorët institucionalë dhe qeverisës.
E drejta zakonore, shpesh e keqpërdorur ose edhe e rishpikur, vazhdon të
ndikojë te brezi i ri, shkaktuar edhe nga një boshllëk gati absolut i vlerave të reja
kulturore. E theksojmë këtë, se ndonëse Kanuni si perceptim i gjymtuar është i
pranishëm (ne ju referuam atij për hir të kontekstit të konceptit të gjakmarrjes), nuk
na rezulton domosdoshmërisht si një variabël në korrelacion shkakësor me vrasjet.
Gjakmarrja kërkon një adaptim të ri të sjelljes dhe aktivitetit të gjithë niveleve
të shoqërisë shqiptare. Institucionet shtetërore në nivel qendror dhe lokal, organizatat
e shoqërisë civile dhe media duhet të koordinojnë përpjekjet e tyre për të ofruar
mbështetje të përshtatshme për këto familje dhe të fuqizojnë veçanërisht gratë, që
vetë ato të luajnë rol aktiv për të dalë nga kjo situatë.
Për një përgjigje efektive ndaj gjakmarrjes del si domosdoshmëri qasja holistike,
e orientuar nga veprimi, që të synojë komunitetet dhe individët, gratë dhe burrat.
Fjalët kyçe të kësaj qasjeje janë ligj, drejtësi, informim, parandalim, përfshirje e grave
në proces pajtimi dhe edukim, punësim, arsimim, shërbime, plan zhvillimi.

-9-
1. HYRJE
Rezoluta 1325 e OKB-së mbi sigurinë (2000) pohon se konflikti prek gratë dhe vajzat
ndryshe nga burrat dhe djemtë dhe se gratë duhet të jenë pjesë e zgjidhjes dhe e
proceseve të arritjes të paqes (UN Women 2012). Konflikti në këtë rezolutë dhe
programet e mëtejshme në mbështetje të zbatimit të saj kuptohet si konflikt i
armatosur. Ne besojmë, edhe pse në shkallë relativisht të vogël, se mund të aplikojmë
të njëjtat parime për rastet e gjakmarrjes, sepse janë të paktën dy familje të mëdha në
armiqësi të hapur, ka atje kërcënim për hapje zjarri dhe vrasje të meshkujve nga një
familje në tjetrën. Edhe pse gratë dhe vajzat nuk janë objektiv i drejtpërdrejtë i këtyre
vrasjeve, ato preken drejtpërdrejt nga ky proces. Raporti ofron dëshmi mbi faktin se
gjakmarrja prek fort jetët e grave dhe vajzave dhe e bën këtë në një mënyrë të
ndryshme nga ajo e burrave dhe djemve.
Axhenda për gratë, paqen dhe sigurinë ka dy komponentë kryesorë:
parandalimin dhe mbrojtjen. Në trajtimin e një fenomeni të veçantë është e
domosdoshme të mendosh për mbrojtjen e atyre që janë aktualisht në rrezik, por në
të njëjtën kohë të ndërtosh një strategji që do të parandalonte rritjen e numrit të
personave të prekur prej tij në të tashmen dhe të ardhmen. Që kjo të arrihet, çdo
ndërhyrje duhet të fillojë me një studim të thelluar që do të çonte më pas në një
përgjigje të bazuar te rrethanat konkrete. Në shqyrtimin që i kemi bërë literaturës,
nuk kemi gjetur një studim tjetër me këndvështrim gjinor. Gratë janë përmendur ose
në mënyrë sporadike, ose për të nënvizuar faktin që ato janë të përjashtuara nga
gjakmarrja. Ne besojmë se mënyra më e drejtë për të lexuar këtë pretendim është se
ato janë të përjashtuara (jo gjithmonë) nga lista e objektivave të drejtpërdrejtë, por jo
nga gjakmarrja. Gratë përjetojnë një përvojë të drejtpërdrejtë të gjakmarrjes nga
humbja e një prej të dashurve të tyre, nga frika për jetën e secilit prej burrave dhe
fëmijëve meshkuj në familje, nga përballimi të vetme i barrës së mbajtjes së familjes,
kur burrat u vriten ose ngujohen apo fshihen dhe të gjitha problemet që rrjedhin nga/
ose lidhen me të, duke përfshirë edhe frikën për sigurinë e vetë atyre. Të dhënat
tregojnë gjithashtu se edhe pretendimi i mësipërm - se janë të përjashtuara si
objektiva - nuk duket të jetë më i vërtetë, pasi disa gra janë vrarë si gjatë shkëmbimit
të zjarrit, po edhe si objektiva të veçanta. Prandaj përjashtimi i grave nuk është më i
justifikueshëm. Në trajtimin e problemit të gjakmarrjes, është e nevojshme të kuptohet
se si preken gratë prej saj brenda kontekstit se si preken familjet në këtë situatë, gjë
që synon të trajtojë ky studim.

2. METODOLOGJIA
Analiza e ndikimeve që ka gjakmarrja te gratë në Shqipëri dhe se si mund të
kontribuojnë ato në trajtimin e këtij problemi është mbështetur në hulumtimin e

- 10 -
literaturës ekzistuese dhe në grumbullimin e të dhënave empirike. Duke qenë se
qëllimi kryesor i studimit është të kuptohet situata dhe roli i grave në rrethanat e
gjakmarrjes, janë përdorur metoda të ndryshme për arritjen e tij. Kështu, janë
mbledhur të dhëna nga literatura, dokumentet ligjore, raportet dhe studimet e
mëparshme, librat dhe artikujt e medias mbi gjakmarrjen dhe vrasjet për hakmarrje në
Shqipëri, me një përqendrim të veçantë në periudhën nga fillimi i tranzicionit (vitet
‘90-‘91) deri në ditët e sotme. Duke e konsideruar gjakmarrjen edhe si një çështje të
sigurisë, është konsultuar edhe literatura mbi Rezolutën 1325 të Kombeve të
Bashkuara, si edhe studime të tjera lidhur me gratë në situatë rreziku, konflikti dhe
pas konflikti, ose me gratë në kushtet e varfërisë ekstreme, sepse këto përkojnë
pjesërisht me gjendjen e grave, familjet e të cilave janë në gjak.
Përveç konsultimit me dokumentet, raportet dhe artikujt ekzistues, studimi
bazohet mbi të dhëna të mbledhura përmes metodash cilësore, siç janë intervistat me
specialistë, intervistat me gratë, vëzhgimet dhe shënimet nga puna në terren.
Metodologjia cilësore 1 e zgjedhur bazohet në qasjen etnografike. Qasja etnografike
është e vlefshme kur studiohen çështje komplekse, raste me ndjeshmëri të lartë dhe
një popullsi që është e vështirë të identifikohet (Tinker 1990), siç është rasti i këtij
studimi. Një karakteristikë e qasjes etnografike është vëzhgimi i sjelljes, i kushteve dhe
i këndvështrimeve lidhur me mjedisin ku ato ndodhin (Nurani 2008). Ky studim
konsiston në analizën e perceptimeve, sjelljeve dhe kushteve të grave në situatë
gjakmarrjeje, gjë që kërkon një marrëdhënie të ngushtë midis studiuesit dhe kampionit
të popullatës që merret në shqyrtim. Duke zgjedhur një qasje etnografike, të bazuar
në metodat cilësore të hulumtimit, ne mund të analizojmë në detaje realitetin, përvojat
dhe këndvështrimet e grave që kanë një përvojë të drejtpërdrejtë me dukurinë.
Një grup intervistash gjysmë të strukturuara janë zhvilluar me përfaqësues të
institucioneve shtetërore në nivel qendror, që kanë pasur apo që kanë të bëjnë direkt
ose indirekt me fenomenin e gjakmarrjes dhe/ose vrasjet për hakmarrje, si Ministria e
Drejtësisë; Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta; Ministria e
Brendshme; Gjykata e Krimeve të Rënda; Avokati i Popullit, si dhe me ato në nivel
vendor, si Bashkia e Shkodrës, Drejtoria Arsimore Rajonale, organizata të shoqërisë
civile që veprojnë në këtë fushë dhe përfaqësues të Komitetit të Pajtimit
Mbarëkombëtar. Në të njëjtën kohë, janë zhvilluar edhe 12 intervista me gra, familjet e
të cilave janë në gjakmarrje. Këto intervista shërbyen për të kuptuar më thellë
problemin nga këndvështrimi i institucioneve përkatëse përmes dëshmive të
ekspertëve të intervistuar, si dhe për të reflektuar mbi mundësitë e ndërhyrjes me

1
Një hulumtim cilësor ka si qëllim të paraqesë realitetin ashtu siç e shohin dhe e perceptojnë
njerëzit; Hulumtimi cilësor i jep studiuesit mundësinë të zbulojë dhe të kuptojë përvojat jetësore të
njerëzve dhe të interpretojë fenomenin në studim (në këtë rast, gjakmarrjen) duke përdorur fjalët
dhe zërin e njerëzve që e kanë përjetuar atë (në këtë rast, gratë) (Corbin and Strauss 2008).
- 11 -
qëllim fuqizimin e grave në këto kushte, si një qasje e re kundër fenomenit.
Hulumtimi cilësor/qasja etnografike është edhe një mënyrë e efektshme për të zbuluar
ndikimet komplekse që kanë te gratë, gjakmarrja dhe vrasjet e tjera për arsye të
ngjashme. Për shkak të kushteve delikate ku e gjejnë veten, shpesh nën kërcënimin e
jetës, gratë e intervistuara janë identifikuar me ndihmën e ndërmjetësve në terren, si
mësues, punonjës social apo persona të tjerë që kanë kontakte me këto familje.
Një zgjedhje e tillë u bë kryesisht, sepse familjet e përfshira në gjak janë shumë
dyshuese ndaj të huajve, dhe ne mund të na pranonin në shtëpi vetëm me
ndërmjetësimin e njerëzve të njohur prej tyre. Kontakti me këta të fundit ishte e
vetmja mënyrë për të arritur objektivat e studimit. Rreziqet ishin të shumta. Në fillim,
na duhej të fitonim besimin e tyre nëpërmjet ndërmjetësimit të personave tanë të
kontaktit, të cilët kishin marrëdhënie të drejtpërdrejta me komunitetin dhe në veçanti
me këto familje. Kështu që ne arritëm të shkojmë në shtëpitë e disa prej këtyre grave
dhe të dëshmojmë për kushtet dhe mënyrën e tyre të jetesës. Por kjo jo gjithmonë u
bë e mundur. Vumë re se kur burrat ishin të ngujuar në shtëpi, ishte e pamundur të
hyje brenda dhe të bëje një intervistë. Në mënyrë kategorike ua kishin ndaluar grave
këtë gjë. Në disa raste arritëm t´i takonim gratë jashtë shtëpisë, në mjediset e një
organizate jo fitimprurëse ose të një shkolle, por kur u kërkonim të shkonim për vizitë
në shtëpi, na thoshin se kishin ardhur të na takonin pa dijeninë dhe lejen e burrave,
sepse ata do t’i kishin ndaluar rreptësisht. Arsyet që na paraqisnin ishin: rezistenca për
ta bërë publike gjendjen në të cilën ndodhej familja, me qëllim që të shmangej turpi
dhe gjykimi për familjen me të cilën ishin në gjak. Madje, në një rast, ndërmjetësin
tonë e kërcënuan dhe i kërkuan të mos i afrohej më shtëpisë. Gjithashtu vumë re që
për shkak të perceptimit se media e paraqiste fenomenin si sensacion dhe për shkak të
frikës nga ekspozimi, disa nga të intervistuarat refuzuan të regjistroheshin gjatë
bashkëbisedimit.
Gjithashtu, gjatë intervistave dhe kërkimit në terren, u kryen një sërë
vëzhgimesh nga studiuesit. Vëzhgimet konsiderohen si nga metodat më të
rëndësishme për mbledhjen e të dhënave në një studim etnografik. Në rastin tonë,
vëzhgimi qe i formës më të thjeshtë, vëzhgim vetëm gjatë intervistës dhe kohës së
kufizuar që kaluam me familjet e përzgjedhura për shkak të natyrës shumë të
ndjeshme të studimit dhe vështirësisë për të hyrë në familjet e gjakmarrjes apo
ndonjëherë edhe vështirësisë për t’i gjetur ato. Koha e kaluar me këto familje shpesh
ishte e kufizuar dhe zgjaste vetëm për aq sa zgjaste intervista. Shumicën e rasteve ajo
zhvillohej në prani të ndërmjetësve (edhe pse jo gjithmonë), të cilët ndërhynin në
bisedë, duke na kufizuar në procesin e intervistimit. Veç kësaj, menjëherë pas
intervistave janë mbajtur shënime të rregullta etnografike në formën e një ditari për
mënyrën e zhvillimit të tyre, për mendimet, përshtypjet e çdo dite, vizitat në familje,
sjelljet e grave dhe fëmijëve gjatë intervistës. Gjatë punës në terren, këto shënime në
formë ditari na ndihmuan në përcaktimin e çështjeve, pyetjeve shtesë që mund të
- 12 -
bëheshin gjatë intervistave dhe në vendimin për numrin e intervistave që do të
zhvilloheshin. Më pas, gjatë fazës së analizës, shënimet etnografike janë përdorur për
të pasuruar rezultatet dhe për të plotësuar të dhënat e grumbulluara.
Intervistat, vëzhgimet dhe shënimet etnografike na jepnin mundësinë për të
njohur situatën nga këndvështrimi i këtyre grave, duke iu kërkuar të reflektonin për
kushtet ku ndodheshin, si kishin përfunduar aty, ç’mund të bëhej dhe si, për të dalë
nga kjo situatë ose me forcat e tyre, ose përmes institucioneve shtetërore ose palëve të
treta, që mund të kishin ndikim në ndryshimin e gjendjes së tyre. Studimi etnografik
na ndihmoi për të plotësuar raportin me histori nga bota reale. Kështu, përveç 12
intervistave, kemi përfshirë edhe historinë e katër fëmijëve, dy vajza dhe dy djem, të
prekur drejtpërdrejtë nga gjakmarrja ose ngujimi. Të tjera histori jete na u dëshmuan
nga eksperte të fushës, që kishin apo kanë kontakte të drejtpërdrejta me këtë kategori
vulnerabile krejt të veçantë të shoqërisë sonë.
Nga dymbëdhjetë gra të intervistuara, njëmbëdhjetë ishin gra familjet e të
cilave kishin qenë të ngujuara ose vazhdonin të ishin të ngujuara, ndërsa njëra ishte
nga një familje që synonte të merrte gjak/hak. Këto të fundit, duke pasur parasysh
rrezikun dhe natyrën e paligjshme të qëllimeve të tyre, ishte shumë e vështirë të
identifikoheshin dhe të intervistoheshin. Por, kushtet e tyre, edhe pse delikate, nga
pikëpamja sociale dhe ekonomike janë më pak të rënda se sa gjendja në të cilën e
gjejnë veten familjet kur ngujohen. Me fjalë të tjera, ky studim pasqyron më së shumti
kushtet në të cilat jetojnë gratë dhe familjet e ngujuara.

Çështjet etike
Gjatë studimeve etnografike dalin shumë çështje etike që duhet të merren parasysh,
për shkak se hulumtuesi krijon një marrëdhënie të ngushtë me kampionin e popullsisë
që studiohet. Përpara se të kryheshin intervistat, gjatë kohës së kaluar në terren, gjatë
analizimit të të dhënave dhe raportimit të tyre, janë pasur parasysh çështjet etike.
Kështu, para intervistave, jemi siguruar që gratë të ishin të mirëinformuara për
studimin, për qëllimin e tij dhe për publikimin e rezultateve. Para çdo interviste
siguronim të intervistuarat se informacioni që do të na jepnin do të përdorej vetëm
për qëllim të këtij studimi. I garantonim se të dhënat e mbledhura prej tyre do të
përdoreshin në mirëbesim të plotë dhe se ato do të mbeteshin anonime. Për të ruajtur
anonimatin e tyre, çdo personi/rasti i referohemi me numër dhe kemi shmangur
përmendjen e informacioneve të caktuara për jetën e tyre, që do të bënin të mundur
identifikimin e personit ose rastit. Gjithashtu, pasi kemi marrë lejen dhe miratimin e
tyre me gojë, i kemi informuar se kishin të drejtë të ndërprisnin intervistën në se nuk
dëshironin të vazhdonin më tej.

- 13 -
Studimi trajton çështjet e mëposhtme:
• Si ndikon gjakmarrja te gratë?
• Si mund të kontribuojnë ato në trajtimin e këtij problemi, zvogëlimin dhe
mundësisht eliminimin e tij?
• Si të kuptohet më mirë fenomeni i gjakmarrjes në Shqipëri?
Konkluzionet janë përpunuar përmes metodës së analizës tematike, ku çdo
çështje që ka dalë nga të dhënat e intervistave është interpretuar dhe analizuar për
t’iu përgjigjur pyetjeve të mësipërme. Të dhënat e mbledhura janë organizuar në dy
grupe kryesore: analiza cilësore me gratë dhe analiza cilësore me ekspertët. Duke u
mbështetur në qasjen etnografike, çështjet kryesore nuk janë përcaktuar përpara
fillimit të studimit, por janë zhvilluar gjatë hulumtimit në terren dhe më pas gjatë
analizës tematike. Sipas Corbin dhe Strauss, analiza cilësore mund të konsiderohet si
një proces i shqyrtimit dhe interpretimit të të dhënave për të nxjerrë kuptimin e tyre
dhe për të nxjerrë prova empirike mbi popullsinë dhe fenomenin që studiohet (2008:
1).
Analiza e të dhënave gjatë këtij studimi ka filluar njëkohësisht me zhvillimin e
punës në terren. Disa tema dhe koncepte të rëndësishme zunë të përcaktohen me
fillimin e intervistave cilësore, vëzhgimeve dhe shënimeve etnografike. Këto tema dhe
koncepte u përforcuan gjithnjë e më shumë nga një intervistë në tjetrën. Edhe
shënimet etnografike në formën e ditarit, të cilat janë mbajtur sistematikisht, kanë
ndihmuar shumë gjatë analizës. Intervistat e regjistruara janë dëgjuar disa herë dhe si
rezultat u bë i mundur përcaktimi i pikave kryesore pas çdo interviste. Pas dëgjimit të
intervistave janë mbajtur shënime të detajuara dhe pastaj konceptet dhe çështjet
kryesore janë zhvilluar më tej gjatë shkrimit të raportit. Gjatë procesit të analizës
është ndjekur një qasje induktive, e cila gjithashtu ka mundësuar krijimin e hipotezave
dhe rekomandimeve teorike.
Pas përgatitjes si draft të këtij raporti, më 29 prill 2013 u organizua tryeza e
rrumbullakët me pjesëmarrjen e aktorëve që kanë rol në ndryshimin e situatës si dhe
me studiues dhe ekspertët e intervistuar. Grupi i studimit paraqiti gjetjet kryesore dhe
rekomandimet dhe mirëpriti sugjerimet dhe konsideratat e pjesëmarrësve, gjë që
kontribuoi në cilësinë e studimit duke i dhënë atij formën në të cilën po paraqitet.

- 14 -
3. VËSHTRIM NË LITERATURË
3.1 Gratë dhe konflikti
Rezoluta 1325 (2000) e Kombeve të Bashkuara trajton drejtpërdrejtë çështjen e
sigurisë dhe paqes nga një perspektivë gjinore. Ndër paragrafët e saj mund të
referojmë:
Duke shprehur shqetësimin se civilët, veçanërisht gratë dhe fëmijët,
konsiderohen si shumica dërrmuese e të prekurve nga konflikti i armatosur,
përfshirë këtu si refugjatët ashtu edhe të shpërngulurit brenda vendit,; dhe
faktin që gjithnjë e më tepër ata janë nën shënjestrën e luftëtarëve dhe të
elementëve të armatosur, si dhe duke marrë parasysh pasojën e këtij ndikimi
për një paqe të qëndrueshme dhe për pajtim,
dhe
Duke ripohuar rolin e rëndësishëm të grave në parandalimin, zgjidhjen e
konflikteve dhe ndërtimin e paqes, si dhe duke theksuar rëndësinë e
pjesëmarrjes së tyre të barabartë dhe përfshirjen e plotë në të gjitha
përpjekjet për ruajtjen dhe çuarjen përpara të paqes dhe të sigurisë, si dhe
nevojën për të rritur rolin e tyre në proceset vendimmarrëse, lidhur me
parandalimin dhe zgjidhjen e konflikteve, duke ripohuar gjithashtu nevojën
për të zbatuar plotësisht ligjet ndërkombëtare humanitare dhe ato të të
drejtave të njeriut, të cilat mbrojnë të drejtat e grave dhe të vajzave gjatë dhe
pas konflikteve,

Rezoluta 1325 (2000) nxit dhe kërkon përfshirjen e një perspektive gjinore në
vendosjen dhe ruajtjen e paqes, si dhe pjesëmarrjen dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të
grave në këtë proces.
Analiza e grave dhe e gjakmarrjes është në përputhje me konsideratat e kësaj
rezolute, sepse pavarësisht faktit që konflikti nuk është midis dy komunitetesh ose
grupe më të mëdha njerëzish, ajo është një situatë e konfliktit me armë midis të
paktën dy familjesh (zakonisht të mëdha), që prek jetën e grave duke kërcënuar ato
dhe fëmijët e tyre, i detyron të mbyllen brenda si pasojë e kërcënimit të perceptuar
dhe përkeqëson kushtet ekonomike dhe sociale të jetesës. Për shkak të këtyre
ngjashmërive kemi konsultuar literaturën mbi gratë në konflikt që na ndihmoi të
krijonim kuadrin konceptual për të kuptuar situatën dhe për të bërë analizën tonë.
Kështu, duke u mbështetur në literaturën mbi gratë në konflikt dhe pas-konfliktit,
vëmë re se në situatë konflikti dallimet ekzistuese në fuqi dhe aksesi ndaj burimeve,
theksohen edhe më shumë, gjë që e dobëson më tej pozitën e atyre që ndërkohë janë
të pafuqishëm, pavarësisht nëse janë burra, gra apo fëmijë (El Bushra 2007: 136).

- 15 -
Gjithashtu konfliktet i hapin rrugën dhunës seksuale si formë e hakmarrjes dhe
poshtërimit të kundërshtarit.
Literatura sugjeron se situata të njëjta ose të ngjashme përsëriten edhe në
periudhat pas konfliktit. Konfliktet që pasojnë është e vështirë të marrin fund, edhe
kur paqja është shpallur, sepse dhuna vazhdon duke e mbajtur shtetin dhe popullin e
tij në një gjendje të ndërmjetme, që nuk është as luftë as paqe, por që zakonisht quhet
tranzicion (Willett 2010: 146).
Tranzicioni, si rezultat i luftës apo i ndryshimit të një sistemi politik, ka ndikim
të drejtpërdrejtë në jetën e atyre që përfshihen. Ndër pasojat, me rastin tonë lidhen
më shumë siguria (ose mungesa e saj), gjendja sociale dhe varfëria. Marrëdhënia midis
tyre është komplekse, sepse gjendja shoqërore dhe varfëria mund të mos jenë vetëm
rezultat i konfliktit, por edhe i faktorëve të tjerë që kanë çuar në shpërthimin e tij. Për
më tepër, tranzicioni i bën të pafuqishmit akoma më të cënueshëm se më parë, duke
rritur kështu shanset e tyre për pasiguri dhe varfërim të mëtejshëm. Ndërsa burrat si
grup shoqëror e rrisin sistematikisht pushtetin e tyre social, ndikimet te gratë kanë
qenë më pak të favorshme: gratë përbëjnë grupin më të madh të të papunëve,
përfaqësimi i tyre në politikë është shumë i ulët dhe më i paktë se në regjimin e
mëparshëm (pavarësisht kapacitetit përfaqësues real të diskutueshëm), ekziston një
tendencë në rritje e feminizimit të varfërisë, standardet e shëndetit riprodhues kanë
rënë, dhuna ndaj grave është rritur (Willett 2010: 145).

Në rastin e Shqipërisë, periudha e tranzicionit nga sistemi totalitar me një ekonomi të


centralizuar, në modelin liberal të demokracisë, me një ekonomi kapitaliste të tregut,
ishte e pasur në ndryshime, të cilat kanë pasur pasoja sociale të diskutueshme. Nga
njëra anë, ka pasur një shtim të lirive politike, të nxitjes për rritje ekonomike, të
privatizimeve dhe ristrukturimit të shtetit. Nga ana tjetër, kostot sociale dhe
ekonomike të këtij ristrukturimi nuk mund të injorohen. Efektet kanë qenë veçanërisht
të ndryshme kur është fjalë për gjinitë, sepse gratë dhe burrat kanë pasur përvoja të
ndryshme dhe të pabarabarta. Gjatë këtyre më se 20 viteve të fundit, Shqipëria ka
bërë përparim. Raporti i Zhvillimit Njerëzor për vitin 2012 e vendos atë në pozicionin
e 70-të nga 186 vende dhe në pozicionin e 41-të lidhur me indeksin e pabarazisë
gjinore (UN 2013: 17). Por, duke marrë parasysh dhunën ndaj grave, Komiteti i
Eliminimit të Diskriminimit ndaj Grave, në vërejtjet e tij përmbyllëse për Shqipërinë,
thekson se ai (Komiteti) mbetet i shqetësuar për përhapjen e vazhdueshme dhe të
lartë të dhunës ndaj grave në Shqipëri (UNIFEM 2010: 15). Ky po bëhet një shqetësim
social, pasi nuk konsiderohet më si një çështje e “derës së mbyllur”.

- 16 -
3.2 Roli i grave në vendosjen dhe ruajtjen e paqes
Edhe roli që luajnë gratë në konflikte është kompleks. Nganjëherë ato janë objektiv i
tyre, por mund të jenë dhe kanë qenë gjithashtu të përfshira në to si pjesëmarrëse.
Trajtimi i tyre si viktima është vetëm njëra anë e historisë, sepse edhe pse tërhiqet
vëmendja për masa mbrojtëse aktive, në të njëjtën kohë ato lihen mënjanë, duke i
anashkaluar më tej dhe duke i përjashtuar nga procesi i arritjes ose ruajtjes së paqes.
Kështu, gratë idealizohen në rolin e tyre si viktima që kanë nevojë për mbrojtje dhe
nënvlerësohen për fuqinë dhe kontributin e tyre (Willett 2010: 143-4).
Literatura sugjeron konsiderimin e tyre si aktore, që pavarësisht kushteve
personale, duhet të përfshihen drejtpërdrejt në procesin e vendosjes dhe ruajtjes së
paqes si agjentë të pazëvendësueshëm socialë (Pratt dhe Richter-Devroe 2011: 4990). I
njëjti parim pasqyrohet në Rezolutën 1325 të Kombeve të Bashkuara, që kërkon qartë
mbrojtjen e të drejtave të grave gjatë dhe pas konfliktit, si edhe përfshirjen e tyre në
procesin e vendosjes dhe ruajtjes së paqes.
Megjithatë, pavarësisht votës unanime në vitin 2006, zbatimi i rezolutës mbetet
akoma i kufizuar. Sipas literaturës, ndërtimi i paqes, sidomos nga organizmat
ndërkombëtare, ka qenë më shumë i përqendruar në ndërtimin e strukturave dhe
institucioneve formale, duke lënë mënjanë fuqizimin e komunitetit, veçanërisht grupet
e margjinalizuara si gratë. Në disa raste, ato edhe janë prekur negativisht, siç tregon
shembulli i Kosovës. Chinkin dhe Charlesworth citojnë reagimin e rrjetit të grave ndaj
ndërtimit të paqes në shkallë ndërkombëtare: “Komuniteti ndërkombëtar na ka
margjinalizuar ne grave si kurrë më parë. Kurrë nuk jemi ndjerë kaq të lëna mënjanë
sa ndjehemi tani” (2006: 942).
Mungesa e një qasjeje gjinore shpesh justifikohet me karakteristikat kulturore
të vendeve ku veprojnë këto organizata ndërkombëtare. Shpesh mbas konfliktit gratë
lihen mënjanë, pavarësisht kontributit të tyre në zgjidhjen e tij. Ka edhe raste kur një
stereotip i tillë gjinor është përdorur nga organizatat lokale në favorin e tyre, siç
shpjegon Elisa Helms kur flet për rastin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ku gratë aktiviste
kanë përdorur stereotipat e organizatave ndërkombëtare të grave si paqebërëse dhe
pacifiste për të rritur praninë e tyre në procesin e ndërtimit të paqes (Simié 2010:
190).

Pavarësisht rasteve individuale, rreziku i një vështrimi esencialist të rolit gjinor


dhe portretizimi i grave si objekte të mbrojtjes gjatë ose pas konfliktit janë të qarta:
nëse gratë nuk janë të pranishme dhe të përfshira në mënyrë aktive gjatë procesit të
ndërtimit të paqes, shanset që ato të përjashtohen nga rendi i ri janë të mëdha. Për
më tepër, nëse gratë përjashtohen nga sistemi gjatë procesit, atëherë sistemi i ri nuk
ndryshon nga i vjetri kur është fjala për ata që ishin ndërkohë pa pushtet dhe të
- 17 -
margjinalizuar, siç janë gratë. Ndryshimi qëndron në faktin se sistemi që po ndërtohet
e shpall veten se është i ri, dhe prandaj është e vështirë të kundërshtohet dhe të
ndryshojë në të ardhmen e afërt, gjë që mund t’i kthejë masat e përkohshme të
margjinalizimit të grave për arsye sigurie në masa të përhershme, duke krijuar kështu
një sistem të dominimit mashkullor shumë të ngjashëm, në mos të njëjtë, me atë
përpara tij.
Prandaj periudha pas konfliktit është vendimtare për vendosjen e një sistemi të
ri, i cili do të ishte jo vetëm i përgjithshëm, por dhe do të ndreqte ndryshimet,
diskriminimin dhe përjashtimin. Një qëllim i tillë mund të arrihet nëse të gjitha grupet
sociale fuqizohen duke ndërtuar kapacitetet e tyre dhe duke siguruar akses dhe
përfshirje mbi bazën e të drejtave të barabarta në procesin e vendimmarrjes.

3.3 Çfarë është gjakmarrja: një përkufizim


Gjakmarrja është një formë e hakmarrjes. Historikisht ky fenomen është hasur që në
Mesjetë e ndoshta më tej, kryesisht ndër popujt e Mesdheut e sidomos te banorët e
territoreve shqiptare, Italisë jugore, Korsikës si dhe pjesës evropiane të Turqisë së
sotme (Valentini 2005: 666-667, 670-672). E veçanta e fenomenit të gjakmarrjes në
Shqipëri është se konsiderohet nga palët që marrin pjesë në të si e ligjshme dhe çdo
veprim i tyre (siç është vrasja për të marrë gjak) bazohet në Kanun. Në gjuhën e
përditshme, Kanuni përdoret për t’iu referuar të drejtës zakonore shqiptare, ligji i
pashkruar që është transmetuar nga një brez në tjetrin. Në një situatë ku shteti
mungonte, organizimi dhe vetëqeverisja bazohej mbi këtë kod zakonor dhe ndihej
nevoja për masa shtrënguese që të mundësonin zbatimin e tij. Prandaj dhe u
përpunuan ato si të tilla. (Historia e Shtetit dhe e së Drejtës në Shqipëri 1997, kreu, E
drejta zakonore shqiptare). Është e rëndësishme të theksohet se kanuni nuk është një
dokument i vetëm, por një grup rregullash i vërejtur në një komunitet të veçantë dhe
relativisht të vogël dhe i diktuar nga këshilli i pleqve, që do të thotë se komunitete dhe
zona të ndryshme, dhe nganjëherë fshatra në Shqipëri, kishin secili Kanunin e tyre.
Ndodhte që një kanun të kishte një zonë më të gjerë influence, siç ishte Kanuni i Lekë
Dukagjinit në pjesën verilindore të vendit. Është e rëndësishme të dihet se kanë
ekzistuar disa kanune, që do të thotë se për sa kohë që nuk kishte një kod ligjor të
njësuar, përdorimet e tyre në praktikë kanë qenë të ndryshme qysh nga fillimet e tyre,
kur ishin rregullatorët e sjelljes shoqërore të kohës. Kjo shpjegon pjesërisht edhe
interpretimet e ndryshme që gjejmë sot për probleme si gjakmarrja.
Në fakt, ka disa (keq)kuptime mbi gjakmarrjen, sidomos për atë se çfarë është
dhe çfarë detyron. Fillimisht, gjakmarrja ishte një sanksion, por kuptimi i saj është
zgjeruar dhe aktualisht konsiderohet si një nga përcaktimet e mëposhtme ose si një
kombinim i tyre: një ligj shoqëror ose fetar, si pjesë e zakoneve tradicionale, si një ligj

- 18 -
i pashkruar apo si një hakmarrje e thjeshtë (Mile 2007: 7). Kuptimet e ndryshme kanë
çuar në konfuzion si edhe në abuzime në emër të fenomenit.

3.4 Gjakmarrja si një praktikë zakonore


Gjakmarrja është justifikuar si e bazuar mbi normat e Kanunit. Deri në shpalljen e
monarkisë, në fillim të vitit 1928, Shqipëria qeverisej nga ligjet zakonore, pavarësisht
përpjekjeve për vendosjen dhe zbatimin e ligjeve të shtetit (Semi 2012). Gjakmarrjet
vazhduan gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitet e para të regjimit komunist. Të
dhëna nga Gjykata e Diktimit tregojnë se nga 767 vrasje të kryera gjatë viteve 1939-
1944 dhe 153 gjatë viteve 1944-1950, 291 ishin vrasje për gjakmarrje (Elezi 2000: 54-
55). Gjatë periudhës komuniste (1944-1990) ku ligjet e shtetit zbatoheshin, pati një
pakësim të ndjeshëm të rasteve të gjakmarrjes, por sidomos sepse Kodi Penal e
dënonte vrasjen për gjakmarrje si një formë të veçantë të vrasjes me paramendim
(Elezi 2000). Megjithatë, regjimi komunist nuk kishte objektiv vetëm gjakmarrjen.
Qëndrimi zyrtar ishte për çrrënjosjen e të drejtës zakonore dhe rolin e saj në historinë
e vendit. Kështu, dokumente të rëndësishme të kësaj lloj tradite ligjore nuk botoheshin
dhe as viheshin në dispozicion të lexuesit të gjerë. Dokumente të tilla si Kanuni i Lekë
Dukagjinit mbledhur nga Shtjefën Gjeçovi, Kanuni anonim i 1868, ose Kanuni i
përgatitur nga Nopçsa, të cilët mbaheshin në arkivat Françeskane dhe Jezuite, si edhe
dorëshkrime të tjera si Kanuni i Skënderbeut (mbledhur dhe koduar nga Dom Frano
Illia), Kanuni i Pukës (mbledhur dhe koduar nga Xhemal Meçi), Kanuni i Labërisë
(mbledhur nga etnografi Rrok Zojzi) dhe kanune të tjerë ishin bllokuar në arkivin e
Institutit të Kulturës Popullore të Akademisë Shqiptare të Shkencave (Plasari 2000).
Literatura sugjeron se përjashtimi i qëllimshëm ka drejtpërdrejtë mbi interpretimin
ose mungesën e interpretimit se si funksiononin kanunet dhe pse, gjë që shpjegon
keqinterpretimet dhe zbatimet e ndryshme në Shqipërinë e sotme, sidomos kur është
fjala për një praktikë delikate dhe jetëmarrëse si gjakmarrja.
Në Kanun thuhet se "gjaku gjithmonë merret me gjak" dhe parashikohen
rregulla specifike për raste të veçanta të gjakmarrjes (Durham 2000). Duke u bazuar
në këtë kod social, një person është i “detyruar” (nga shoqëria) të vrasë një person
tjetër me qëllim që të shpëtojë nderin nga një vrasje e mëparshme ose nga një
ofendim publik që mund t’i ketë ndodhur një pjesëtari të familjes. Pikërisht kjo
praktikë njihet dhe si gjakmarrje (Gëllçi 2005). Gjakmarrja, e cila në Kanunin e Lekë
Dukagjinit konsiderohet si një dënim kapital, është marrja e jetës së atij individi apo të
pjesëtarëve të familjes së atij individi që ka kryer një vepër të rëndë ndaj jetës,
familjes, pronës, nderit dhe dinjitetit të dikujt (Vickers and Pettifer 2000). Në këtë
kanun të veçantë janë 150 norma dedikuar “gjakut” dhe “gjakmarrjes”. Sipas Plasarit,
“gjaku” ose vrasja sipas këtij ligji është veprimi ku jeta e dikujt merr fund. Ndërsa
“gjakmarrja” është vrasja e dytë që bëhet për të “rimarrë [hakmarrë] gjakun” e
- 19 -
personit të parë që ishte vrarë. Për këtë arsye, vrasja e dytë është një dënim për
vrasjen e parë. E dyta vjen pas të parës bazuar në parimin “gjak për gjak”. Parimi
nënkupton që vrasja dënohet me vrasje dhe/ose që vrasja është e njëjtë me vrasjen,
por në të njëjtën kohë nuk mund të vrasësh dy ose më shumë njerëz për të marrë
hakun e një vrasjeje të vetme. Në qoftë se nga familja e të vrarit vritet më shumë se
një person, kjo nuk është më “gjakmarrje dhe sjell më pas një tjetër vrasje, këtë herë
kundër atij që ka kryer më shumë se një vrasje” (Plasari 2000).
Kanuni i Lekë Dukagjinit njeh këto sanksione penale: dënimin me vdekje,
gjakmarrjen dhe dëbimin nga bashkësia. Dënimet i cakton gjyqi i pleqve, kuvendi i
vëllazërisë apo ai i fisit. Me ekzekutimin e tyre ngarkohej pala e dëmtuar, e cila është e
detyruar ose të falë ose të marrë hak. Pala fajtore është e detyruar të ngujohet sipas
rregullit kanunor dhe afateve të përcaktuara në Kanun. Me ngujimin e palës fajtore
lind e drejta e negocimit për pajtim, që mund të bëhet me falje ose me kompensim.
Kanuni sugjeron pajtimin me falje, duke e konsideruar faljen si një nivel të lartë morali
dhe trimërie.
Vendosja e rregullit dhe ligjit në veri të Shqipërisë, që ka qenë gjithmonë një
detyrë e vështirë, u kontrollua më shumë gjatë regjimit komunist, por u bë më e
vështirë me vendosjen e demokracisë në vend (Gjuraj 2000). Si rezultat i
keqpërdorimit të qëllimshëm të kanunit, vrasjet që janë kryer vitet e fundit në vendin
tonë, duke u bazuar në ligjet kanunore, u kanë marrë jetën qindra shqiptarëve dhe
kanë ngujuar shumë të tjerë, kryesisht fëmijë dhe gra (Mile 2007).

3.5 Gratë në Kanun


Edhe pse në Kanun thuhet se “frymë për frymë, të gjithë janë të barabartë para Zotit”,
Kanuni zbatonte diskriminimin gjinor dhe gratë kishin dukshëm më pak të drejta se
burrat. Gruaja nuk mund të trashëgonte, ndërkohë që konsiderohej si pronë e të
shoqit, edhe pse ai nuk kishte të drejtë mbi jetën e saj. Përjashtim bënte kapja në
flagrancë për tradhti bashkëshortore; përndryshe, nëse burri e vriste gruan pa lejen e
familjes së saj, ai hynte në gjak me këtë familje, e cila ishte e vetmja që kishte të drejtë
mbi jetën e gruas. Detyrimet e gruas qëndronin brenda kategorisë së roleve të
bashkëshortes, nënës dhe vajzës, dhe ajo nuk kishte detyra të tjera shoqërore.
Gjithsesi, Kanuni e mbronte atë duke i garantuar të drejtën për martesë, mbrojtjen
nga detyrimi për të hyrë me forcë në një lidhje jashtë martese dhe duke dënuar
rrëmbimin e një gruaje. Kanuni ndalonte edhe përdorimin e armëve nga gratë, por
nga gojëdhënat dhe tregimet gojore ka pasur raste në histori ku gratë kanë mbajtur
armë, edhe pse nuk ka raportime për dënim apo ndonjë lloj sanksioni ndaj tyre.
Të vetmet raste kur gruaja lejohej të merrte një pozitë sociale ishin nëse familja
e saj nuk kishte meshkuj dhe kishte nevojë për një burrë. Në këto raste gruaja,
- 20 -
zakonisht një vajzë e re dhe e pamartuar, nëpërmjet një ceremonie kthehej në të
ashtuquajturën burrneshë, që do të thoshte se mund të luante të gjitha funksionet
sociale të burrit, me kusht që të hiqte dorë nga të qënit grua (duke u betuar edhe për
të mbetur e virgjër). Në këtë rast ajo lejohej të merrte gjak (Gëllçi 2005: 22-4). Po
kështu, Elezi na shpjegon se “autoriteti i ndërmjetësit, që sipas kanuneve mund të
ishte burrë a grua, djalë a vajzë, apo edhe një prift a hoxhë, pavarësisht nga mosha ose
seksi 2, ishte sanksionuar në kanune. Kërkesë primare për ndërmjetësin, pavarësisht se
kush e merrte përsipër këtë mision, ishte ndershmëria, paanësia e tij në zgjidhjen e
konflikteve.” (Elezi 2000: 29), që do të thotë se praktika kanunore ia njihte gruas të
drejtën për të qenë pjesë e procesit të ndërmjetësimit për pajtim. Ky interpretim
mbështetet nga dëshmi të shumta të zbatimit të fushatave për pajtim në Kosovë në
vitet 1990-1991, kur grupe studentësh vajza dhe djem trokisnin në çdo derë dhe
ndërmjetësonin pajtimin midis familjeve në gjak në të gjithë vendin, përfshirë edhe
zonat më të thella e më patriarkale. Roli i nënave dhe bashkëshorteve për të kuptuar
rëndësinë e faljes së gjakut të të dashurve të tyre është theksuar edhe në këtë rast
(Çetta 1999).

4. GJAKMARRJA NË DITËT E SOTME


Gjakmarrja ka mbetur pjesë e psikologjisë shqiptare, pjesë të cilën nuk arriti ta
zhdukte as regjimi komunist me gjithë bllokimin që i bëri për një gjysmë shekulli.
Gjakmarrja vjen si fenomen historik i vjetër dhe funksionon sipas një mekanizmi të
njohur që të gjithë e marrin të mirëqenë, por po ashtu përplaset dhe me një
pandjeshmëri sociale dhe publike (Ballauri 2012). Në ditët e sotme situata në Shqipëri,
sidomos ajo e lidhur me drejtësinë dhe krimet, komplikohet dhe më tej nga
gjakmarrjet/hakmarrjet të ndërmarra jo vetëm në veri dhe në zonat rurale, por edhe
në ato urbane e kudo në vend (Voell 2003). Raportimet tregojnë se rastet e
gjakmarrjes, akoma tipike në pjesën veriore të Shqipërisë, janë zhvendosur edhe në
pjesë të tjera të vendit, si edhe në kryeqytet. Të dhënat tregojnë se një përqindje e
lartë mbetet në pjesën veriore kryesisht rurale; gjithsesi, fenomeni nuk është më i
izoluar gjeografikisht.
Si një traditë e trashëguar nga drejtësia primitive, fenomeni i gjakmarrjes në dy
dekadat e fundit ka dëshmuar rast pas rasti e në tërësi edhe defekte të luftës kundër
kriminalitetit dhe mosbesimin që ka komuniteti ndaj policisë dhe drejtësisë (Mile
2007). Njihen mjaft raste vrasjesh për gjakmarrje, të cilat janë vënë në jetë pas
vendimeve gjyqësore ku dënimet e dhëna kanë qenë minimale dhe të “padrejta” sipas
familjarëve të viktimës ose dhe raste kur persona të pa arrestuar nga drejtësia janë
gjetur dhe ekzekutuar nga familja e viktimës (e.m/Balkanweb 2012). Në emër të

2
Italiket të shtuara.
- 21 -
Kanunit në njëzet vite janë kryer krime të cilësuara për gjakmarrje, por të pabazuara
në zgjidhjen e të drejtës kanunore, si rasti i një gruaje të vrarë për një krim të kryer
nga i biri, ekzekutimi i fëmijëve për gjakmarrje, vrasja e një kleriku, apo futja në
gjakmarrje pa lejen e këshillit të pleqve (ODA 2011). Të gjitha rastet e
sipërpërmendura nga njohësit dhe studiuesit e kanunit konsiderohen si thyerje të
rënda (shih, për shembull, Elezi 2000 apo Gëllçi 2005).
Situata paraqitet qartë nga producentja e dokumentarit “Life on hold – Jetë
pezull”, dedikuar temës së gjakmarrjes, që thotë “…jo vetëm që fenomeni ekziston në
të gjithë vendin, por unë mendoj se ai nuk është në vetvete vetëm gjakmarrje. Në se
do ta shohim këtë fenomen përmes Kanunit, Kanuni nuk ekziston më. E vetmja gjë që
ka mbetur nga Kanuni është ngujimi. Asgjë tjetër nuk i lidh vrasjet e sotme me
Kanunin si të tillë (Mustafaj 2007).

4.1 Gjakmarrje apo vrasje për hakmarrje


Që një vrasje të konsiderohet rast për gjakmarrje, ajo duhet të plotësojë një sërë
kushtesh. Mes tyre janë arsyet e kërkesës për gjakmarrje dhe mënyra e veprimit për ta
realizuar. Sipas autorëve Elezi (2000), Gëllçi (2005) dhe Mile (2007), rasteve të ditëve
të sotme u mungon legjitimiteti i praktikës së lashtë. Vrasjet shpesh kryhen për
motive të dobëta, pa respektuar rregullat si: respektimi i ndërmjetësit, respektimi i
afateve, dhënia e besës për fëmijët nën 15 vjeç, respektimi i kufomës, mosprekja e
grave dhe fëmijëve. Në raste të veçanta, as gjaku nuk e shlyen gjakun, duke bërë që
vrasjet të vijojnë derisa të shuhet etja për hakmarrje.
Siç thotë Elezi: “Vrasja për gjakmarrje kryhet për të marrë gjakun për një vrasje
të mëparshme, apo për tentativë për vrasje apo plagosje të rëndë apo të lehtë, kurse
vrasja për hakmarrje bëhet si shpagim për rrahje, grindje, fyerje, dhunë, veprime të
padrejta të mëparshme. Këto nocione nuk mund të njësohen” (2000: 7).
Dallimi midis hakmarrjes dhe gjakmarrjes është mjaft i rëndësishëm, sepse na
ndihmon të kuptojmë rrethanat e vrasjes së parë dhe asaj që pason ose kërcënimit për
vrasje. Siç është përmendur shumë vrasje sot nuk justifikohen me Kanunin.
Megjithatë, pavarësisht mungesës së bazës kanonike, në shumicën e rasteve familjet
fshihen ose ngujohen, dërgojnë ndërmjetës që të bisedojnë për falje, duke e futur
kështu veten në gjakmarrje. Në këto kushte, pavarësisht se qëllimi për të kryer vrasjen
e dytë ka karakter hakmarrës, palët e fusin veten në një situatë gjakmarrjeje, gjë që e
bën fenomenin e ditëve të sotme një hibrid shumë më kompleks se ai i dikurshmi.
Elezi e shpjegon shndërrimin e hakmarrjes në gjakmarrje si pasojë e mungesës së
ndërhyrjes juridike: “në rast se vrasësit nuk vihen përpara përgjegjësisë ligjore, atëherë
vepron gjakmarrja, domethënë hakmarrja personale, kështu që vrasja e mëparshme
për motive të ndryshme kthehet nga pasojë në shkak për vrasjen për gjakmarrje”
- 22 -
(2000: 76). Kjo tregon një përshkallëzim të fenomenit, ku as zbatimi i ligjit nuk
mjafton për ta parandaluar atë.

4.2 Të dhëna mbi gjakmarrjen


Nuk ka të dhëna të sakta mbi rastet e gjakmarrjes dhe mbi numrin e të ngujuarve.
Madje të dhënat janë shpesh kontradiktore, kjo në varësi të burimit. Kështu, nga njëra
anë, mediat raportojnë qindra e mijëra vrasje për shkak të gjakmarrjes si dhe mijëra
fëmijë të ngujuar, nga ana tjetër, sipas statistikave zyrtare, vrasjet për gjakmarrje kanë
pësuar ulje të ndjeshme, nga 45 në vitin 1998 në vetëm 1 në vitin 2009 (UN Human
Rights Council 2010). Po sipas këtyre statistikave numri i fëmijëve të izoluar varion
nga 36 në 57 në të gjithë vendin, prej të cilëve 29-45 fëmijë të izoluar vetëm në
Shkodër. Sipas përllogaritjeve familje të ngujuara mendohet të jenë 124 - 133 në të
gjithë vendin (po aty, f.4).
Avokati i Popullit deklaron në një raport të fundit (2013) se për periudhën
1990-2000 kanë qenë 8229 familje në gjakmarrje, ndërsa për periudhën 2001-2012
numri i përgjithshëm 1559, që është disa herë më i vogël se sa dhjetë vitet e kaluara,
por prapë mbetet një numër i konsiderueshëm familjesh. Këto shifra raportohen edhe
si të dhëna zyrtare.
Të dhënat dhe shifrat ndryshojnë edhe kur burimet janë nga shoqëria civile apo
OJF të ndryshme. Sipas një organizate me shumë aktivitet në terren ka vetëm 350
familje dhe rreth 100 fëmijë të izoluar. Ndërkohë një tjetër organizatë e njohur jep
shifra të tjera, rreth 10.000 vrasje për gjakmarrje që nga viti 1991 si dhe rreth 1500
familje dhe 800 fëmijë të ngujuar (US Department of State 2010). Gjithsesi, në tërësi
pranohet se vitet nëntëdhjetë, duke qenë dhe vite me kriminalitet të lartë, u shoqëruan
me një numër të madh vrasjesh në emër të vetëgjyqësisë dhe anarkisë (ODA 2011).
Sipas Raportit të Zhvillimit Njerëzor (1998), rreth 73% e vrasjeve dhe vdekjeve të
dhunshme në Shqipërinë e vitit 1997 janë klasifikuar si vrasje për gjakmarrje apo për
hakmarrje. Sipas ODA (2011), për shkak të lëvizjeve qytetare, ndërgjegjësimit social,
forcimit të rendit dhe sigurisë në vend, në vitet 2004 – 2007 ky lloj krimi pati një
rënie sipas statistikave zyrtare. Por në vitin 2009 numri i krimeve dhe çështjeve penale
të gjykuara për gjakmarrje ka pësuar rritje, ndërsa raportimet mbi numrin e rasteve
gjatë 2010-ës dhe 2011-ës tregojnë se ka pasur një rritje të vazhdueshme në numrin e
vrasjeve për gjakmarrje (ODA 2011).
Në 2012, për herë të parë Ministria e Brendshme ka dhënë disa shifra zyrtare
për gjakmarrjen. Janë kryer 225 vrasje për gjakmarrje që nga viti 1998 deri më 2012
dhe janë të ngujuara 67 familje në të gjithë Shqipërinë. Në shkallë vendi janë 33
fëmijë të ngujuar që nuk frekuentojnë shkollën, 23 vetëm në Qarkun e Shkodrës. Sipas
policisë së shtetit numri i vrasjeve për gjakmarrje në vitet 1998-2012 përbëjnë 7.9 % e
- 23 -
numrit të përgjithshëm të vrasjeve. Ndërsa për tre vitet e fundit, numri i vrasjeve për
gjakmarrje, si edhe numri i të gjitha vrasjeve raportuar nga Policia e Shtetit, është si
më poshtë:
2010 – 118 vrasje gjithsej, 5 për gjakmarrje
2011 - 124 vrasje gjithsej, 5 për gjakmarrje
2012 - 125 vrasje gjithsej, 8 për gjakmarrje 3
Sipas policisë së shtetit, shpërndarja e 67 familjeve të ngujuara sipas qarqeve është :
Qarku Shkodër, 48 familje, Qarku Kukës, 13 familje, Qarku Lezhë, 4 familje, Qarku
Tiranë, 1 familje dhe Qarku Durrës, 1 familje.
Ndërsa numri i personave të ngujuar, po sipas policisë së shtetit, është 153 në
rang vendi. Numri i personave të ngujuar në qarqe të ndryshme të vendit është:
Në Qarkun Shkodër, 93 burra, 21 fëmijë, 2 studentë
Në Qarkun Lezhë, 4 burra
Në Qarkun Kukës, 16 burra, 6 gra dhe 7 fëmijë
Në Qarkun Durrës, 1 burrë, 1 grua, 3 fëmijë
Në Qarkun Tiranë, 1 burrë

Shifrat e dhëna nga Ministria e Brendshme janë kontestuar nga OJF të ndryshme, pasi
mendohet që nuk janë reale, ndërkohë që mendohet të janë shumë më të larta se të
dhënat zyrtare.
Një studim i kryer nga Forumi Për Mendimin e Lirë tregon se vetëm në Qarkun
e Shkodrës ka 112 familje të ngujuara, ose 323 persona të ngujuar, mes të cilëve 104
fëmijë, 77 prej të cilëve në moshën e arsimit të detyruar (Top Channel 12 shkurt 2011).
Në lançimin e studimit të Forumit, Përfaqësuesi i Policisë së Shtetit deklaroi se ishte
pozitive që të dhënat e shoqërisë civile ishin të përafërta me ato të Policisë. Në të
njëjtën kohë ai theksoi se është e rëndësishme të mos zmadhohen shifrat, gjë që është
e kuptueshme sepse të dhënat më sipër qartazi janë të ndryshme. Policia deklaron se
në rang vendi janë 153 të ngujuar, ndërkohë që Forumi për Mendimin e Lirë deklaron
323 vetëm në Qarkun e Shkodrës. Po kështu, të dhënat zyrtare pretendojnë se në
Qarkun e Tiranës ka vetëm një të ngujuar, por gjatë këtij studimi ne intervistuam 5
familje, burrat e të cilave ose fshiheshin ose ishin të ngujuar. Gjithashtu na u tha se

3
Informacion mbi gjakmarrjen i Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, dhënë AIPA-s për këtë
studim, me dokumentin zyrtar nr. 456/1, datë 19.02.2013, në përgjigje të kërkesës për intervistë të
drejtpërdrejtë.
- 24 -
vetëm në zonën e Bathores janë rreth 30 familje në gjakmarrje, shumica e të cilave
jetojnë të ngujuara.
Dallimet mes të dhënave janë evidentuar edhe më parë nga Reporteri Special i
Kombeve të Bashkuara dhe nga raporte të tjera ndërkombëtare. Për këtë ka dy arsye.
Arsyeja e parë është njësia e matjes. Burime të ndryshme raportojnë gjëra të
ndryshme: një burim raporton vrasje në total të vëna pranë vrasjeve për gjakmarrje,
një burim tjetër rendit numrin e familjeve të ngujuara, herë të shpërndara sipas
qarqeve, herë sipas grup moshave, ndërsa herë të tjera jep numrin e fëmijëve. Dallimi
në mënyrën e mbledhjes dhe paraqitjes së të dhënave i bën ato të vështira për t’u
krahasuar. Arsyeja e dytë shpjegohet shpesh në termat e axhendave individuale të
palëve të përfshira. Agjencitë qeveritare raportojnë histori suksesi ndaj krimit dhe
veprimtarisë së paligjshme, prandaj ato akuzojnë organizatat e shoqërisë civile se
manipulojnë të dhënat për të justifikuar fondet që marrin dhe duan të vazhdojnë të
marrin nga donatorët e huaj. Nga ana tjetër, organizatat e shoqërisë civile akuzojnë
agjencitë qeveritare për fshehje të së vërtetës, duke paraqitur një histori suksesi të
mediatizuar në kurriz të asaj pjese të shoqërisë që vuan pasojat e gjakmarrjes, sepse
qeveria kërkon të fitojë votën elektorale dhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.
Të dhënat e pretenduara nga agjencitë qeveritare e bëjnë të vështirë të kuptohet
shkalla e sotme e fenomenit dhe në të njëjtën kohë vështirësojnë krijimin dhe zbatimin
e strategjive të duhura për parandalimin dhe zhdukjen e tij.
Ajo çka duket gjithashtu qartë në këto të dhëna të raportuara nga agjencitë
shtetërore dhe jo shtetërore është mungesa e variablit gjinor. Është e vështirë të
dallosh në se ka gra mes vrasësve dhe viktimave dhe sa prej tyre. Të dhënat për gratë
zakonisht jepen në total, si p.sh. 27 gra të vrara vetëm në vitin 2012, por nuk mund të
themi nëse si justifikim për ekzekutimin e tyre është përdorur gjakmarrja apo praktika
të tjera kanunore. Nga intervistat tona dhe/ose nga media del se ka pasur raste të
grave vrasëse ose të vrara për gjakmarrje, por nuk ka të dhëna zyrtare që e saktësojnë
këtë gjë. Mungesa e të dhënave mbi bazë gjinore e bën të vështirë matjen e shkallës së
përfshirjes së grave dhe vajzave në gjakmarrje. Po kështu, të dhënat dhe burimet e
ndryshme që kemi konsultuar përqendrohen kryesisht te numri i vrasjeve, personave
të akuzuar dhe i të rriturve apo fëmijëve të ngujuar. Variablet e tjera përqendrohen në
shpërndarjen gjeografike dhe sipas grup moshave të fenomenit, por të dhënat mbi
ndikimet shoqërore dhe ekonomike të gjakmarrjes mungojnë plotësisht. Duke
menduar se gratë zakonisht ndikohen ekonomikisht dhe nga ana shoqërore, ato janë
gjithashtu të përjashtuara nga të dhënat.

- 25 -
4.3 Shkaqet dhe pasojat e gjakmarrjes
Shkaqet kryesore të vrasjeve janë mosmarrëveshjet për pronën, rrahjet, zënkat,
grindjet dhe fyerjet (Elezi 2000: 76), por edhe armatosja e popullsisë në 1997 e ka
përshkallëzuar fenomenin duke e bërë më të lehtë vrasjen. Më qartë, faktorët që
mundësuan rishfaqjen e dukurisë së gjakmarrjes (ose vrasjeve për hakmarrje) i
shpjegon Xhavit Shala (2003). Të parët janë faktorët ekonomikë, si kriza ekonomike e
shoqëruar me zaptimin e pronave, përfshi këtu dhe tokën, apo dhe vetë ligji për
ndarjen e tokës, i cili ishte i diskutueshëm dhe çoi në konflikte. Faktorët politikë kanë
luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm. Një pjesë e vrasjeve janë kryer për motive
politike, të shtyra nga një politikë agresive, e cila ka pasur disa pika të nxehta, më
kulmorja ajo e destabilitetit politik të vitit 1997, që çoi dhe në armatosjen e popullsisë
e për rrjedhojë rritjen e kërcënimeve për jetën e njerëzve dhe numrit të vrasjeve.
Faktorët demografikë bënë që një pjesë e banorëve nga zonat e thella të zhvendosen
kryesisht pranë qyteteve, edhe pse shpesh në zona informale, ku rënia në krim ishte
më e mundshme. Po kështu niveli i drejtësisë, në sensin e ekzistencës ose jo të
legjislacionit, korrupsionit në agjencitë e zbatimit të ligjit dhe, sipas Shalës, heqja e
parakohshme e dënimit me vdekje kanë bërë që një pjesë e popullsisë të humbasë
besimin tek institucionet dhe të kërkojë vetëgjyqësi, nganjëherë edhe ndaj i punonjësve
të drejtësisë dhe të zbatimit të ligjit. Faktori i fundit është krimi i organizuar, i cili, në
luftën e vet për territor dhe pushtet, ka kryer mjaft vrasje (Shala 2003: 73-6). Siç
thamë dhe më lart, një pjesë e këtyre vrasjeve nuk kanë asnjë ngjashmëri me
gjakmarrjen, por ato janë cilësuar si të tilla, sidomos nga media, e cila për të shtuar
efektin mbi audiencën nuk ka ngurruar të përdorë termin gjakmarrje.
Pasojat e gjakmarrjes janë po aq të shumta sa edhe shkaqet e saj. Së pari, jeta e
njerëzve është e kërcënuar drejtpërdrejtë, dhe kur fshihen ose ngujohen ata privohen
edhe nga shumica e të drejtave të tyre. Së dyti, gjakmarrja i ka bërë shumë familje të
mos kenë besim se institucionet shtetërore do të bëjnë punën e tyre që të mbizotërojë
drejtësia. Për pasojë, ato i janë kthyer vetëgjyqësisë, e cila ka çuar në një sërë krimesh,
përfshirë vrasjen, duke përkeqësuar kështu një situatë tashmë të keqe. Së treti, familjet
në gjakmarrje vuajnë ekonomikisht. Shumica e tyre pasi hyjnë në gjak migrojnë,
fshihen ose ngujohen brenda shtëpive të tyre, që do të thotë se burrat nuk mund të
fitojnë më bukën e gojës, ata humbin punën, nuk mund të kontribuojnë në punët e
bujqësisë ose biznese të tjera që mund të ketë familja dhe sa më shumë të zgjasë kjo
gjendje, aq më shumë varfërohen. Varfëria dhe izolimi kanë ndikuar negativisht në
arsimimin, shëndetin e tyre dhe në shërbimet e tjera sociale. Mungesa e gjithë këtyre
ka shkaktuar shumë probleme sociale dhe shëndetësore, siç janë dhuna dhe abuzimi
me gratë e fëmijët, problemet e shëndetit fizik dhe mendor, alkoolizmi etj. Këto familje
jetojnë vazhdimisht të kërcënuara me jetën teksa bien në nivelin e varfërisë ekstreme,
shëndetit të dobët, injorancës dhe mungesës së kulturës qytetare.

- 26 -
4.4 Gjakmarrja dhe gratë
Gjakmarrja është një plagë e hidhur e së kaluarës, por edhe e të sotmes së
shqiptarëve. Gjakmarrja shoqërohet dhe me shumë pasoja të rënda për shoqërinë. Një
nga pasojat më të rëndësishme që ka ndikuar shumë zona e shumë familje është dhe
izolimi i familjeve nga frika e vrasjeve për shkak të gjakmarrjes. Një problem tjetër
është se këto familje e pranojnë si legjitime vrasjen e mundshme për gjakmarrje,
megjithëse mund të jenë tërësisht të pafajshme (UN Human Rights Council Report,
2010).
Për më tepër, rikthimi i fenomenit të gjakmarrjes pas vitit ‘90 u shoqërua edhe
me shumë thyerje të rregullave themelore të kanunit. Siç u vërejt dhe më sipër ka
mjaft rregulla që nuk zbatohen, si moscënimi i fëmijëve meshkuj deri në moshën 15
vjeç apo i femrave. Duket se i vetmi rregull që ruhet është marrja e gjakut, e cila është
bërë jo vetëm nga burrat, por edhe nga gratë e fëmijët. Sipas Elezit (2002) në vitet
1997-98 ka pasur 5 raste kur gratë kanë vrarë për gjakmarrje. Por ai është marrë dhe
duke vrarë gra e fëmijë. Së fundmi ka pasur mjaft raste kur gra dhe vajza kanë qenë
viktima të drejtpërdrejta të gjakmarrjes (Llojdia 2011), herë në mënyrë të qëllimshme,
herë jo. Rastet e vrasjeve të grave për hakmarrje janë, gjithsesi, disa herë më të larta
(Marku 2012).
Edhe pse krahasuar me burrat vrasjet e grave nuk janë aq të shumta, fenomeni
i gjakmarrjes i prek ato drejtpërsëdrejti. Duke qenë se nuk duket të jenë viktima të
drejtpërdrejta të zjarrit të gjakmarrjes, gratë kanë peshën e madhe të fitimit të bukës
për familjen e tyre. Ka shume familje të ngujuara brenda katër mureve të shtëpisë,
fëmijë që nuk shkojnë në shkollë dhe nuk dalin nga shtëpitë, ndërkohë që shpesh
gruas i bie barra e rëndë e mbajtjes së familjes dhe fitimit të bukës së gojës. Përveç
peshës së mbajtjes së familjes, gratë vuajnë edhe pasoja të tjera si kërcënimi i sigurisë
për të dhe fëmijët, qoftë nga burri i ngujuar, qoftë nga të huaj, duke u bërë shënjestër
e dhunës, trafikimit, abuzimit e shfrytëzimit.

5. ROLI I INSTITUCIONEVE DHE I SHOQËRISË CIVILE


5.1 Legjislacioni dhe mekanizmat institucionalë
Në Shqipëri “e drejta për jetën” është një e drejtë kushtetuese. Kushtetuta përcakton
në nenin 21 se “Jeta e personit mbrohet me ligj.” 4 Ajo garanton mbrojtjen e të drejtave
dhe lirive individuale dhe ndalon çdo lloj diskriminimi. Kushtetuta gjithashtu siguron
mbrojtje të veçantë për familjen, fëmijët dhe të rinjtë, gratë shtatzëna dhe nënat e
reja.

4
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Tiranë, 1998.
- 27 -
Ligji “Për Barazinë Gjinore”, miratuar në vitin 2008, krijoi kuadrin ligjor për
krijimin e një strukture të plotë të barazisë gjinore dhe përcakton përgjegjësitë
respektive të çdo institucioni. Ligji “Mbi masat kundër dhunës në marrëdhëniet
familjare” (2006, ndryshuar në 2010), duke trajtuar një problem të madh social, midis
të tjerave parashikon ngritjen dhe forcimin e një sërë strukturash dhe shërbimesh
sociale për parandalimin, mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje.
Legjislacioni shqiptar për barazinë gjinore bazohet në një tërësi konventash të
Kombeve të Bashkuara si Karta Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa për
Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Konventa mbi të Drejtat
e Fëmijëve, Konventa Ndërkombëtare mbi të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore
etj, si edhe mbi një sërë traktatesh të Këshillit të Evropës që lidhen drejtpërdrejtë me
barazinë gjinore. Këto instrumente globale dhe rajonale janë ratifikuar nga Qeveria
shqiptare dhe përmbajnë detyrime për shtetin që të plotësojë standardet që ofrojnë
mbrojtje të mirë për gratë dhe vajzat, përmirësimin de fakto të gjendjes së tyre.
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka ndryshuar disa herë pas vitit 1991 (në
1995, 2001, 2003, 2007, 2012 dhe 2013) dhe sot ai përfshin gjakmarrjen dhe
hakmarrjen, bashkë me një sërë krimesh që nuk i përfshinte më parë. Kodi Penal i
Republikës së Shqipërisë me ndryshimet e vitit 2012 kish tre nene që mbulojnë rastet
penale lidhur me gjakmarrjen: si “Vrasja me paramendim për gjakmarrje”, “Kanosja
serioze për hakmarrje ose gjakmarrje” dhe “Nxitja për gjakmarrje”. Neni i fundit
trajton çështje si procedimi i anëtarëve të familjes, të afërmve e të tjerë që nxisin
gjakmarrjen, si dhe të atyre që i detyrojnë familjet të ngujohen.
Ndërkohë që ky raport ishte duke u përgatitur, Ministri i Drejtësisë paraqiti
disa ndryshime në paketën e të drejtës penale (mars 2013), midis të cilëve propozohej
një dënim prej jo më pak se 38 vjet burg deri në burgim të përjetshëm për vrasjen e
grave brenda familjes dhe vrasjeve për hakmarrje ose gjakmarrje. “Përgjigjja për të
gjithë ata që me mendjen e tyre kriminale kanë si qëllim të vrasin për hakmarrje do të
jetë e qartë se dënimi që i pret nuk do të jetë më pak se 38 vjet burg, dënimi i
pritshëm do të jetë burgim i përjetshëm” deklaroi ministri. 5
Në maj të 2013 Kuvendi miratoi ndryshimet në Kodin Penal. Lidhur me
gjakmarrjen u shtua Neni 78/a 6, që parashikon dënimin me burgim jo më pak se
tridhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm, për vrasjen me dashje për gjakmarrje.
Shteti ka treguar vullnetin e mirë në hartimin dhe miratimin e ligjeve që lidhen
drejtpërdrejtë ose tërthorazi me fenomenin e gjakmarrjes. Por hapat e mëtejshëm janë
ose shumë të ngadalshëm ose nuk tregojnë asnjë përparim. Një shembull tipik është
ligji Nr. 9389 “Mbi krijimin dhe funksionimin e Këshillit Koordinues për Luftën
5
Deklaratë për shtyp e Ministrit të Drejtësisë, Gazeta “Shqip” , dt. 11.03.2013
6
Ligji nr. 144/2013, datë 02.05.2013, neni 78/a “Vrasja për gjakmarrje”.
- 28 -
kundër gjakmarrjes”, miratuar në datën 04.05.2005. Ligji është në fuqi edhe sot, por
nuk është marrë asnjë nga masat që parashikon ai. Këshilli i Ministrave detyrohet me
ligj të nxjerrë vendime për zbatimin e tij, por Këshilli Koordinues është mbledhur
vetëm një herë në 2008 dhe vendimet e tij priten akoma. 7
Kështu në Nenin 3, pika (a) të këtij ligji parashikohet se Këshilli Koordinues
“cakton detyrat dhe masat konkrete për organet ekzekutive si edhe për qeverisjen
lokale8.” Por Këshilli Koordinues nuk ka bërë ndonjë mbledhje tjetër pas mbledhjes së
parë, gjë që do të thotë se ai nuk ka vepruar fare, duke ndikuar kështu negativisht në
zbatimin e ligjit dhe për pasojë në kundërveprimin institucional efikas ndaj
gjakmarrjes.

5.2 Rendi dhe drejtësia


Hulumtimi në terren dhe burime të tjera informacioni tregojnë se shteti dhe
strukturat e tij deri më sot kanë trajtuar kryesisht pasojat e gjakmarrjes dhe kanë
pasur rezultate të pjesshme në menaxhimin e këtyre pasojave.
Një nga strukturat administrative që ka rol të rëndësishëm në parandalimin e
këtij fenomeni është Policia e Shtetit. Ajo është agjencia e parë që përballet me pasojat
e fenomenit: ajo njoftohet e para për vrasjen, drejton hetimet dhe merr masat
parandaluese ndaj pasojave të mëtejshme të veprës penale të kryer tashmë.
Na u referua se Policia e Shtetit nisur nga situata e gjakmarrjes në vend, ka
miratuar Planin Operacional “Mbi parandalimin, gjurmimin dhe luftimin e veprave
penale të vrasjes për gjakmarrje”. 9 Duke e vlerësuar pozitivisht këtë masë, na lind e
drejta të bëjmë objeksionin tonë, për vonesën në kohë të miratimit të këtij plani, në
fundin e vitit 2012(!).
Në këto vite të fundit janë krijuar struktura të posaçme 10 të luftës kundër
gjakmarrjes, të emërtuara Seksione kundër krimeve të hapura pranë Komisariateve të
Policisë në Drejtoritë e Qarqeve. Detyra e tyre është parandalimi i vrasjeve në tërësi
dhe vrasjeve për hakmarrje e gjakmarrje në veçanti. Policia ka forcuar bashkëpunimin
me organet e prokurorisë, për hetim të menjëhershëm të veprave penale dhe për
kapjen e vrasësve sa më shpejt të jetë e mundur.

7
Gjatë intervistës me Avokatin e Popullit, mësuam se nga ushtrimi i pushtetit të institucionit që ai
përfaqëson, këto ditë (shkurt 2013), 8 vjet nga dalja e ligjit të lartpërmendur, është hartuar nga
Ministri i Drejtësisë Urdhri që shënon fillimin e procesit të zbatimit të tij.
8
Kuvendi i Shqipërisë, Fletorja Zyrtare, nr. 44 datë 14.06.2005.
9
Plani i Veprimit, nr. 1277, datë 2012/10/24, sipas dokumentit zyrtar nr. 456/1, datë 19/02/2013
10
Po aty.
- 29 -
Por duket se me gjithë legjislacionin e përparuar dhe punën e policisë për
kapjen e vrasësve siç nënvizon Avokati i Popullit, shteti nuk është në gjendje të mbrojë
dhe garantojë jetën e atyre që përfshihen në gjakmarrje, se jetën e tyre për fat të keq
“e mbron ngujimi.” 11
Policia duhet të ndjekë edhe rastet e kanosjes ose të detyrimit për ngujim. Por
ndonëse denoncimet për këto raste janë të rralla, edhe kur ka denoncime të kësaj
natyre, policia nuk e ndjek rastin. Të dhëna nga të intervistuarit dhe nga raporti i
Avokatit të Popullit për rastin e Pukës12, ku policia nuk ndoqi procedurat e duhura pas
njoftimit për kanosje, na bëjnë të mendojmë se policia ka qenë eficiente kur vrasjet
kanë ndodhur, por jo aq sa duhet, në parandalimin e tyre (Raportohet se mbi 90% e
vrasjeve janë zbuluar dhe autorët janë ndaluar).
Për më tepër vetë situata e grave nuk është në vëmendjen që kërkohet prej
policisë, ndonëse institucionet e tjera qendrore dhe vendore kanë marrë një tërësi
masash të rëndësishme që lidhen me dhunën kundër grave në familje, përfshi dhe
ndryshimet e këtij viti (2013) në Kodin Penal. Masat e kohëve të fundit janë të lidhura
me reagimin dhe ndërgjegjësimin në rritje të gjithë aktorëve të shoqërisë shqiptare
ndaj numrit të lartë të vrasjeve të grave në këtë periudhë të fundit. Por për fat të keq,
ky numër i lartë viktimash gra është një tjetër dëshmi se policia ndërhyn pasi krimi
ndodh.
Statistikat13 e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë japin këtë pamje të vrasjeve të
grave apo vajzave në tre vitet e fundit:
2010 - 18 vrasje
2011 - 22 vrasje
2012 - 27 vrasje
Ndërsa për gjakmarrje policia për 2012 raporton vetëm një rast të një vajze të vrarë. 14
Pa asnjë mëdyshje, shumica e bashkëbiseduesve tanë kanë pikëpamjen që krimet e
gjakmarrjes zakonisht rriten kur shteti nuk është i pranishëm dhe kur ligji nuk
zbatohet. Kjo pikëpamje i referohej sidomos rasteve kur individët që kryejnë vrasje për
hakmarrje kanë marrë dënime të buta dhe qytetarët nuk janë të bindur se drejtësia
është vënë në vend.
11
Projekt-raporti special i Avokatit të Popullit mbi fenomenin e hakmarrjes, dërguar AIPA-s me
shkresën nr. 28, datë 23.01.2013, për qëllim të këtij studimi.
12
Rast i evidentuar nga institucioni i Avokatit të Popullit. (Mos)Trajtimi jo profesional i policisë i një
denoncimi në komisariatin e rrethit të Pukës, rezultoi në dy të vrarë, dy të plagosur dhe familje të
kërcënuara. Ngjarë më 29.06.2012, fshati Qelës.
13
Dokumenti zyrtar nr. 456/1, datë 19/02/2013, i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
14
Vajza 17 vjeçare Marie Quku, në Malësinë e Dukagjinit, që u vra së bashku me gjyshin nga fqinjët e
saj, në hakmarrje për një vrasje të kryer më parë nga i vëllai. Gazeta Tema, 15.06.2012.
- 30 -
Mungesa e besimit te drejtësia shfaqet në të gjitha rajonet e Shqipërisë, por
sidomos në këto zona ku gjakmarrja është më e pranishme, ajo është edhe më e
shprehur.
“Gjithçka e ka origjinën te sistemi i drejtësisë”, thotë një nga të intervistuarit.

Sipas të dhënave të raportuara nga ODA (2011), në vitet 2004-2009 ka pasur gjithsej
117 vendime gjyqësore për rastet lidhur me gjakmarrjen dhe 94 dënime. Nga viti 2004
deri në 2009 kanë qenë 106 raste të gjykuara për gjakmarrje, nga të cilat janë dhënë
83 dënime. 2004 është viti ku numri më i madh i veprave penale për hakmarrje
raportohet 28 raste. Viti me numrin më të madh të dënimeve për gjakmarrje është viti
2006 me 22 dënime. Veprat penale për gjakmarrje kanë rënë nga 2004 në 2008,
ndjekur nga një rritje në 2009, por që nuk do të thotë domosdoshmërisht se është
pakësuar edhe gjakmarrja.
ODA raporton gjithashtu një rritje të procedimeve të njerëzve që kanë bërë
kërcënime për gjakmarrje ose njerëzve përgjegjës për detyrimin me forcë të familjeve
që të ngujohen. Në 6 vitet (2004-2009) ka pasur dhjetë vepra penale të trajtuara sipas
nenit 83/a “Kanosja serioze për hakmarrje ose gjakmarrje”15.
Një tjetër vepër penale që konsiderohet si e lidhur me gjakmarrjen është edhe
ajo e argumentuar në nenin 83/b të Kodit Penal “Nxitja për gjakmarrje”. Pothuajse çdo
vrasje ose kërcënim i bërë në emër të gjakmarrjes në kontekstin social ka dhe
bashkëpunëtorë, njerëz që nxisin hakmarrjen për të vrarë autorin e një krimi apo një
të afërm të tij. Një vepër e tillë është evidente në kontekstin social dhe është
pasqyruar në media, por jo në procedurat e hetimeve të vrasjeve për gjakmarrje. Në
fakt, neni 83/b është zbatuar vetëm një herë vitet e fundit, edhe pse numri i njerëzve
që nxisin hakmarrjen ndaj një krimi është shumë i lartë.
Por, me gjithë perceptimin përgjithësisht negativ për sistemin e drejtësisë, kjo
nuk do të thotë se nuk janë bërë përpjekje për ta trajtuar çështjen dhe rishikuar herë
pas here politikat apo krijuar struktura lehtësuese.
Një shembull është Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike një institucion në
varësi të Ministrisë e Drejtësisë, i krijuar për të ofruar ndihmë juridike për grupet e
njerëzve vulnerabël dhe në nevojë. Ndihma mund të jetë në formën e këshillave ligjore
ose përfaqësimit ligjor në gjykatë për çështje civile, administrative ose penale.
Përparësi kanë grupet vulnerabël, si fëmijët, gratë e dhunuara dhe/ose të trafikuara,
familjet në gjakmarrje etj. Por siç pohon përfaqësuesi i kësaj ministrie, “...edhe pse
familjet dhe individët e përfshirë në një situatë gjakmarrjeje mund ta përfitojnë këtë
lloj ndihme, deri tani nuk ka pasur asnjë kërkesë nga kjo kategori”.

15
Amendime që iu bënë Kodit Penal, me ligjin nr. 8733, datë 24.01.2001.
- 31 -
Sipas ekspertit që intervistuam, mungesa e interesit të këtyre familjeve mund të
vijë nga që ato nuk marrin informacion dhe prandaj nuk e dinë që ekziston një
ndihmë e tillë nga shteti, edhe pse, ky institucion i ka shpërndarë popullatës broshura
informative. Por ndoshta vijon ai, meqenëse këta njerëz jetojnë të izoluar dhe kanë pak
kontakte jashtë familjes së tyre, e kanë të vështirë t’i marrin broshurat dhe
informacionin....”. Duket se qëndrimi vazhdon të mbetet në nivel konstatimi.
Komisioni ofronte gjithashtu për të ndihmuar në pajtimin e familjeve të
përfshira në gjakmarrje përmes arbitrimit ligjor. Kjo lloj ndihme mund të sigurohet
përmes avokatëve të licencuar. Deri më sot familjet e përfshira në një situatë
gjakmarrjeje, dinë se ndërmjetësimi për pajtim mund të organizohet vetëm nga njerëz
të veçantë, që zakonisht njihen dhe respektohen nga familja e viktimës. Asnjëra prej
grave në situatë gjakmarrjeje që ne kontaktuam, nuk kishte dijeni se edhe shteti mund
të ndihmojë për pajtim në mënyrë ligjore. Në se pajtimi organizohet dhe arrihet nga
një arbitrim ligjor i kryer nga një avokat i licencuar, ky akt është juridikisht i vlefshëm
dhe mund të respektohet më shumë nga familjet e përfshira.
Për më tepër, ky institucion mund të ofrojë ndihmë përmes dhënies së
këshillave si veprohet dhe çfarë hapash ligjorë duhen marrë kur këto familje e gjejnë
veten përballë situatash të vështira dhe të ndërlikuara, si në rastet kur marrin
kërcënime verbale ose sulmohen fizikisht.
Sipas ekspertit, fenomeni i gjakmarrjes në Shqipëri nuk duhet të ekzistojë për
sa kohë që ekziston një sistem ligjor funksional dhe personit që ka kryer krimin i është
dhënë dënimi i drejtë. Drejtësia është një e drejtë institucionale dhe mund të jepet
vetëm nga instancat e duhura qeveritare dhe asnjë lloj tjetër vetëgjyqësie nuk mund të
pranohet. Gjakmarrja nuk është zgjidhja.
Intervistat me zyrtarë të informuar për dukurinë e gjakmarrjes zbulojnë edhe
një aspekt tjetër shumë të rëndësishëm. Shumica e tyre dinë fare pak apo aspak për
situatën e gruas të përfshirë në gjakmarrje. Nisur nga premisa se kjo dukuri është
“mashkullore”, sepse janë burrat dhe djemtë mbi 14-15 vjeç, që shndërrohen në hallka
të një zinxhiri absurd vrasjesh, për këta zyrtarë, ndonëse e pohojnë dukurinë si një
problem të mprehtë që kërkon zgjidhje, gratë janë thjesht nënat, bashkëshortet, bijat,
motrat, gjyshet apo mbesat e burrave të përfshirë në gjakmarrje. Dhe vetëm kaq. Ato
janë gati të padukshme. Për fat të keq, duket se bëhen të dukshme vetëm kur ndodh
që vriten dhe atëherë krimi konsiderohet si i rastit.
Një qëndrim ndryshe ishte ai i Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe
Shanseve të Barabarta.
“Ne nuk e mohojmë ekzistencën e tyre, - na thanë gjatë intervistës me
specialistet e disa prej sektorëve të kësaj ministrie - por në strategjitë tona sektoriale
nuk i kemi shënjuar në mënyrë specifike gratë në gjakmarrje si një grup të veçantë.
- 32 -
Ato trajtohen nga qeverisja lokale si pjesë e kategorisë së grave në nevojë, kur
plotësojnë kushtet. Disa nisma afatshkurtra në ndihmë të tyre, nuk zgjatën, sepse nuk
ishin të organizuar mirë dhe jo të financuara siç duhej...”

5.3 Shërbimet Sociale dhe Qeverisja Vendore


Referuar intervistës me një zyrtare të lartë në MPÇSSHB, duket se aktualisht ka një
shkallë ndërgjegjësimi më të lartë nga ana e qeverisë lidhur me dhunën ndaj grave,
madje edhe për ato gra që janë në situata konflikti 16. Institucionet qendrore duket se e
kanë tejkaluar mendësinë se “gjakmarrja është një dukuri që na turpëron dhe nuk
duhet pranuar hapur” gjë që kufizonte dhe veprimin aktiv për eliminimin e saj.
Një ndryshim pozitiv është edhe shtesa që i është bërë ligjit “Për ndihmën dhe
Shërbimet Shoqërore”, në vitin 2011. 17 Ai ligjëron si kategori të reja përfituese të
ndihmës ekonomike (NE), “Viktimat e trafikimit” dhe “Viktimat e dhunës në
marrëdhëniet familjare”. Ndërsa gratë në situatë gjakmarrje nuk janë të përfshira ende
si kategori e veçantë përfituese, por ndryshimi i bërë në nenin 19, pika
e, që përjashton nga llogaritja e të ardhurave “familjet e mbyllura në shtëpi si pasojë
e gjakmarrjes” është një masë e pjesshme që duhet vlerësuar.
Intervistat me përfaqësuesit e qeverisjes vendore tregojnë se angazhimi i saj
ndaj kësaj kategorie është kryesisht në formën e ndihmës ekonomike, po vetëm nëse
familja përmbush kushtet e përcaktuara nga ligji. Pra vetëm shkalla e varfërisë, apo
niveli i të ardhurave i kualifikon këto familje në skemat e bashkisë apo komunës. Çdo
praktikë tjetër e ndryshme nga kjo do të ishte shkelje e ligjit. Në qytetin e Shkodrës
rezulton se 45 familje në situatë gjakmarrjeje janë përfshirë në skemën e ndihmës
ekonomike të bashkisë. Kjo ndodh për shkak se ka një korrelacion të lartë midis
varfërisë dhe familjeve në situatë gjakmarrjeje, sidomos atyre të ngujuara, brenda të
cilave hapësirat e veprimtarive kufizohen pothuajse për të gjithë pjesëtarët e rritur të
saj. Ndërkohë, një pjesë e mirë e familjeve që janë zhvendosur nga zonat rurale, nuk
janë të regjistruar në bashkitë ku janë ngujuar apo banojnë të fshehur. Kjo i privon
ato nga përfitimi i ndihmës ekonomike, edhe pse mund të kenë shumë nevojë për të.
Specialistja e sektorit të shërbimit social në bashkinë e Shkodrës pohon se:
“Angazhimi ynë ndaj gjakmarrjes është minimal, krahasuar me problemet e tjera. Ne
merremi më shumë me dhunën në familje, dhunën ndaj grave, të moshuarve etj. Kur
në këto familje ka të moshuar me probleme, gra që denoncojnë dhunën, ne ofrojmë
shërbime ashtu si për familjet e tjera.”

16
Intervistë me zëvendësministren e MPÇSSHB, mars 2013.
17
Ligji nr. 10399, datë 17.3.2011, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9355, datë 10.03.2005 “Për ndihmën
dhe shërbimet shoqërore””.
- 33 -
Është e qartë se zyrat e qeverisjes vendore kanë një interpretim të kufizuar për
dhunën, përderisa gratë, fëmijët dhe të moshuarit që jetojnë në ngujim për shkak të
kërcënimit të sigurisë së tyre nga gjakmarrja nuk konsiderohen se kanë nevojë për
mbrojtje dhe/ose shërbime sociale.
Në nivelin e qeverisjes vendore, strukturat përkatëse që ofrojnë shërbime për
gratë e dhunuara janë krijuar vite më parë. Në të ardhmen e afërt pritet të ofrohet
për këto gra edhe shërbimi juridik pa pagesë.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se, pavarësisht rritjes së
ndërgjegjësimit institucional dhe shoqëror për dhunën me bazë gjinore, kategoria e
grave të familjeve të ngujuara, në kushtet kur ka humbur apo ka në rrezik jetën e
njerëzve shumë të afërt të saj, nuk është as e ndërgjegjësuar për dhunën brenda
familjes, nuk e konsideron rrezik të dorës së parë për vete apo për fëmijët dhe për
rrjedhojë as nuk e denoncon atë.
“Ne (pushteti vendor) nuk ofrojmë shërbime në shtëpi, – na tha i intervistuari
tjetër, – individi ose familja përfitojnë nga ky apo ai shërbim vetëm në se e kërkojnë
dhe nëse janë të gatshëm të dalin dhe ta marrin atë shërbim. Nuk ka punonjës ose
struktura të veçanta që mund të merren me këtë problem”.
Ndryshe nga qasja ndaj grave të familjeve të ngujuara, ndaj fëmijëve të
rrezikuar janë ndërmarrë disa hapa të rëndësishme ligjore dhe institucionalë. Pas
miratimit të Ligjit “Për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve” në fund të vitit 2010, u
krijua dhe filloi nga puna Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
Është miratuar dhe ka filluar të zbatohet Plani i Veprimit për Fëmijë 2012-2015. Është
parashikuar krijimi i njësive për mbrojtjen e fëmijëve në të gjitha nivelet e qeverisjes
vendore. Gjatë kryerjes së këtij studimi, këto struktura ishin krijuar në mbi 100
komuna dhe bashki. 18 Por edhe pse janë ofruar shërbime të ndryshme dhe në Raportin
e monitorimit, janë përmendur rastet e fëmijëve të rrezikuar që janë menaxhuar me
sukses, vetëm dy prej këtyre fëmijëve vinin nga familje të ngujuara.
Po nga intervistat në terren, asnjë nga fëmijët e familjeve të ngujuara nuk
rezultoi të ishte në kujdesin e këtyre njësive. Sidoqoftë numri i fëmijëve të studimit
tonë është i pakët, për të na lejuar të nxjerrim një përfundim më të bazuar.
Në përgjithësi zyrat sociale të bashkive bashkëpunojnë rregullisht me
organizatat jofitimprurëse dhe qendrat komunitare për t’u ofruar ndihmë sociale të
gjithë atyre që janë në nevojë. Edhe Njësia e Mbrojtjes së Fëmijëve ka dhënë një
kontribut të drejtpërdrejtë për të lehtësuar gjendjen e fëmijëve në këto familje.
Programi “Shansi i dytë” i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili ofronte mësimin

18
Intervistë me Kryetaren e ASHMDF, mars 2013.
- 34 -
në shtëpi për ata fëmijë që nuk mund të shkonin në shkollë, është një tjetër aspekt i
ndihmës, nga e cila kanë përfituar edhe fëmijët e familjeve të ngujuara.
Në Raportin Vjetor mbi Monitorimin e Ligjit “Për Mbrojtjen e të drejtave të
Fëmijëve” është raportuar se në vitin akademik 2008-2009 ishin 86 fëmijë të ngujuar,
ndërsa në vitin akademik 2011-2012 numri i tyre ishte 35. Për këta fëmijë ishte siguruar
mësimi në shtëpi sipas nivelit të shkollimit përkatës” (ASHMDF 2012: 23). Megjithatë,
burime shtesë sugjerojnë se numri i fëmijëve të ngujuar, që janë në moshë shkollore,
është më i madh.
Në Bashkinë e Shkodrës, mësimi në shtëpi është ofruar për 28 fëmijë të
ngujuar, dhe nga këta fëmijë 18 janë vajza. Edhe Bashkia e Koplikut në Malësinë e
Madhe, apo ajo e Kamzës informojnë se ofrojnë ndihmë ekonomike për disa nga
familjet e ngujuara si dhe shërbim me mësues dhe psikologë për të ndihmuar
veçanërisht fëmijët.

5.4. Shoqëria civile


Qasja e shoqërisë civile, organizatave joqeveritare, institucioneve fetare apo
fondacioneve bamirëse është përpjekja për lehtësimin e pasojave të gjakmarrjes mbi
individët e përfshirë dhe familjet e tyre.
Gjatë kryerjes së këtij studimi, intervistuam disa përfaqësues të shoqërisë civile,
në Shkodër dhe Tiranë, të cilët ishin aktivistë shoqërorë, mësues dhe punonjës social.
Disa prej organizatave ku ata punonin kanë në qendër të veprimtarisë ofrimin e
shërbimeve të drejtpërdrejta për familjet, të tjera merren me fëmijët, gratë dhe të
rinjtë, por gjatë punës së tyre u duhet shpesh të merren edhe me familjet e ngujuara.
Në varësi të fokusit të organizatës, ata deklaruan se kanë pasur numër të ndryshëm
rastesh, që luhaten nga 2 në 60 raste gjatë përvojës në punën e tyre.
Sipas këndvështrimit të tyre, në zonat ku kanë punuar, fenomeni i gjakmarrjes
është rritur, edhe pse asnjëri nuk mundi të na jepte të dhëna të sigurta që mbështesin
këtë këndvështrim.
Aktorët e shoqërisë civile gjithashtu deklarojnë se është e vështirë të ketë të
dhëna të sakta kryesisht për dy arsye: së pari, nuk ka një institucion përgjegjës, publik
ose jopublik, që mund të dokumentojë të gjitha rastet dhe, së dyti, disa nga viktimat e
gjakmarrjes (familje ose individë) qëndrojnë të fshehur për shkak të frikës nga
hakmarrja.
Sipas disa prej të intervistuarve tanë, ka raste kur gjakmarrja është edhe pasojë
e dhunës në familje. Rritja e dhunës në familje ka ndikimin e vet te gjakmarrja dhe në
këndvështrimin e tyre e bën këtë të fundit edhe më të ngulët. “Sipas mendimit tim,
fenomeni i gjakmarrjes është derivat i dhunës dhe shpesh kemi pasur raste dhune
- 35 -
brenda familjes, sidomos në gjashtë muajt e fundit. Mosmarrëveshjet që përfundojnë
në krime brenda familjes, kanë çuar shpesh në armiqësi midis familjes së një
bashkëshorti me atë të gruas së tij. Gjatë punës tonë me fëmijë të mbetur pa
mbështetje, kemi hasur katër raste të krimit në familje, që kanë përfunduar në
armiqësi midis familjesh që dikur kanë qenë të lidhura përmes martesës. Këtë e
shohim si një fenomen në rritje (Punonjës social në Fshatin e Fëmijëve SOS në
Shqipëri).
Të gjithë ekspertët e intervistuar deklaronin se shumica e familjeve në
gjakmarrje ishin nga Shqipëria e veriut (Tropoja, Kukësi, Malësia e Shkodrës, Mirdita,
Lezha etj.) Rastet e paraqitura ishin kryesisht nga zonat rurale, njerëz që jetonin në
fshatrat pranë qyteteve kryesore ose që kishin migruar për në zonat informale të
Shkodrës dhe Tiranës. Jetesa në këto zona, ku ndikimi i shtetit apo i institucioneve të
tjera është i vagët, i shumëfishon problemet e tyre dhe i bën më të mprehta. Për më
tepër, përqendrimi i këtyre familjeve në këto zona ndikon në ngulmimin e mentalitetit
të hakmarrjes, në mos e krijon këtë mentalitet. Këtë na e ilustron me një shembull nga
përvoja e saj, e intervistuara në zonën e Bathores, “...një tjetër rast i veçantë për t’u
përmendur është një familje e ngujuar, rezultat ky i nxitjes që i bënë djalit të tyre, që
të merrte hak ndaj djalit të një personi, që vite më parë i kishte prerë atij veshin.
Sipas meje, shkak i gjakmarrjes është edhe mjedisi shoqëror dhe familjar, i cili e nxit
këtë fenomen në vend që të përpiqet ta lehtësojë atë. Mentaliteti i familjes gradualisht
bëhet mentalitet i komunitetit dhe ndikon jo pak në jetën e të gjithë anëtarëve të tij.
“Ata kanë krijuar komunitetet e tyre, që funksionojnë sipas rregullave që u imponojnë
të tjerëve. Për shembull, në një lagje, në Kiras, ku ka shumë familje të ngujuara, ka
probleme dhe shqetësime që u janë krijuar familjeve dhe anëtarëve të tjerë të
komunitetit, sepse të parat kontrollojnë gjithçka, çdo lëvizje, makinat, njerëzit që vijnë
e ikin. Ne jemi përballur me raste kur nuk jemi lejuar të hyjmë me makinë për të
vajtur te një familje me të cilën punonim, por na kanë urdhëruar të zbresim nga
makina dhe të shkojmë në këmbë (SOS- Fshati i Fëmijëve në Shqipëri).
Duke marrë parasysh rastet e paraqitura nga ekspertët dhe rastet e grave në
studim, në shumicën e tyre shkaku i krimit të parë është shpesh banal/ordiner, që
mbështet edhe një herë idenë e mentalitetit si një faktor me ndikim.
Të gjithë pjesëmarrësit në studim, pajtohen se gratë vuajnë pasoja të
shumëfishta nga fenomeni i gjakmarrjes dhe, siç thonë disa prej tyre “…ato janë
viktimat e vërteta”. Në të njëjtën kohë, gratë mbajnë edhe barrën ekonomike dhe atë
psikologjike. I gjithë sistemi i familjes ndryshon: ndryshon marrëdhënia midis
anëtarëve të familjes dhe botës jashtë. Çdo gjë merr tjetër formë.
Varfëria është një nga problemet kryesore me të cilën ndeshen këto familje.
Dhe ky problem përkeqësohet nga fakti se për shumë nga këto gra punësimi është
tejet i vështirë. Arsyet kryesore që pengojnë punësimin e tyre janë se : (1) shumica
- 36 -
janë të keq arsimuara, kanë vetëm arsim fillor e rrallë disa vite shkollimi më shumë, ;
(2) nuk kanë një profesion; (3) jetojnë në zona informale, ku ka më pak mundësi
punësimi, (4) jetojnë mes komunitetesh ku mbizotëron mentaliteti se gratë duhet të
qëndrojnë në shtëpi. Secili nga këta faktorë më vete apo të kombinuar me njëri tjetrin
e bëjnë shumë të vështirë punësimin e tyre.
Shumë nga pjesëmarrësit deklaronin se gratë vuajnë shumë edhe nga dhuna në
familje, për shkak të xhelozisë dhe abuzimit me alkolin nga bashkëshortët e tyre. “Ne
ndeshemi shpesh me raste të ndërthurjes së të gjitha formave të dhunës. Ato rrihen e
goditen prej bashkëshortëve të alkoolizuar, apo edhe të traumatizuar nga qëndrimi i
tyre i gjatë e vanitoz brenda mureve të ngujimit.”- dëshmojnë specialistet
Por pavarësisht vështirësive, gratë bëjnë më të mirën për të përballuar varfërinë
dhe për të plotësuar nevojat e familjeve të tyre. “...megjithatë, ata duan të jetojnë dhe
të ushqehen, - na tregon mësuesja që punon me këto familje - dhe gratë marrin
përsipër përgjegjësinë dhe rrezikun. ‘Le të më vrasin’- më thotë një prej tyre – ‘por
nuk do t’i lë fëmijët e mi pa bukë, edhe sikur të bie 19, e di që bie për fëmijën tim’. Kjo
është deklarata e tyre tipike”.
Disa prej tyre punojnë në industrinë e këpucëve dhe veshjeve; disa të tjera
punojnë në shërbim shtëpiak, ndërsa shumica përpiqen të lidhen me organizata
bamirëse dhe/ose institucionet fetare për të përfituar ushqime, veshje, shërbime
shëndetësore dhe rrallë herë përfitime financiare. Në fakt shumica e organizatave i
kanë kontaktuar këto familje nëpërmjet grave; sepse gratë janë e vetmja “derë e
hapur”.
Përveç papunësisë dhe varfërisë gratë vuajnë edhe gjendjen e vështirë në të
cilën jetojnë fëmijët e tyre. Psikoza e frikës shoqëron jetën e tyre të përditshme.
Fëmijët e familjeve të zhvendosura ndihen të diskriminuar midis shokëve në shkollën e
re. Ndërsa brenda komunitetit të tyre ata ndihen më mirë, madje e shohin gjendjen e
gjakmarrjes si diçka heroike dhe trashëgojnë të njëjtin model jetese. Ky është mjedisi
ku rriten fëmijët. Sidomos djemtë, të cilët konsiderohen si shënjestra të mundshme të
gjakmarrjes, jetojnë me idenë e vdekjes. Ka më shumë mundësi që ata të mos e
ndjekin shkollën dhe të izolohen nga jeta e komunitetit. Në familjen e viktimës, djemtë
rriten me përgjegjësinë që të marrin hak/gjak për anëtarët e vrarë të familjes. “Në
komunitetet e tyre pothuajse nuk flitet kurrë për falje. Në bisedat familjare vetëm
flasin keq për familjen me të cilën janë në armiqësi” (Intervistë me mësues në
komunën Ana e Malit).
Ndërkohë, vajzat duket se janë disi më të lira për të ndjekur shkollat. Por disa
nga të intervistuarat deklaronin se shpesh edhe ato (vajzat) duhet të mbanin një pjesë
të barrës ekonomike të familjes dhe nganjëherë e lënë shkollën që të punojnë. “Ato
19
Të vritem - shënimi ynë.
- 37 -
përpiqen të ndihmojnë nënat e tyre dhe hezitojnë të flasin për problemet e veta. Janë
gati të lënë shkollën, e tregojnë trishtimin duke qarë, madje dhunohen shumë
psikologjikisht nga prindërit e tyre” (SOS, Fshati i Fëmijëve në Shqipëri).
Ka disa raste, në Tiranë dhe në Shkodër, kur edhe gratë ngujohen me familjen
nga frika e rrëmbimit, edhe pse nuk na paraqitën ndonjë rast të veçantë nga njohjet e
tyre, që të tregonte se vajzat kanë qenë viktima të drejtpërdrejta të gjakmarrjes.
“Ka vajza që nuk shkojnë në shkollë, sepse kanë frikë. Edhe shkollën 9 vjeçare e
kanë ndërprerë nga frika e rrëmbimit. Nuk ka pasur raste të ngacmimit të vajzave, por
frika ekziston. “Vajzat izolohen nga frika” (Intervistë me mësues në rrethinat e Tiranës
dhe punonjës të organizatës The Door).
Ndërsa shumica e atyre që ndjekin shkollën shoqërohen nga nënat. Në shumë
raste mësuesit bashkëpunojnë me familjen për t’i mbajtur fëmijët në klasë deri sa nëna
ose një anëtar i familjes shkon t’i marrë për në shtëpi. Sipas një informatori kyç që
punon në Babrru, pranë Tiranës fëmijët ndryshojnë shkollën herë pas here, që të
humbasin gjurmët nga familja që kërkon gjak.
Në Shkodër na u tha se në disa raste mësuesit shkojnë në shtëpitë e fëmijëve
për t’u dhënë mësim, por në Tiranë nuk na u raportuan raste të tilla.
Shumica e organizatave ofronin ndihmë të drejtpërdrejtë për të siguruar
nevojat e jetës së përditshme, si veshje, ushqime dhe nganjëherë para, të tjera
organizata ofronin shërbime për gratë dhe fëmijët që jetonin në këto familje, duke u
marrë me dhunën ndaj grave ose rrezikun e braktisjes së fëmijëve, këshillime për gratë
ose fëmijët, në qendër ose në shkollë, ndërmjetësime me shërbime ose organizata të
tjera, shërbime shëndetësore, mësimdhënie në shtëpi etj. Dy prej tyre ishin angazhuar
edhe tërthorazi në lehtësimin e bisedimeve për falje, nëpërmjet diskutimeve me
familjet. Veçanërisht në Shkodër u vu re se organizatat fetare ishin shumë aktive në
lehtësimin e familjeve në situatë gjakmarrjeje. Në shumë raste ishin ato që referonin
rastet në nevojë tek organizatat e specializuara për forma të caktuara ndërhyrjeje. Kjo
sepse edhe vetë gratë e familjeve të ngujuara drejtohen dhe kanë më shumë besim tek
organizatat fetare. Përfaqësuesja e një organizate në Shkodër, që ka një ekspertizë të
njohur në trajtimin e familjeve me probleme, përmendi ndër të tjera një shembull të
tillë bashkëpunimi, që kish lehtësuar jetën e një familjeje të ngujuar, por që na njeh
njëkohësisht edhe më nga afër me problemet e shumta që ato kanë. “Me ndihmën e
një organizate fetare punësuam gruan në një biznes social. Siguruam barna mjekësore
për të gjithë pjesëtarët e familjes, sepse secili prej tyre kishte probleme shëndetësore.
Vajzën e madhe e shoqëruam për vizitë dhe ndihmë mjekësore në një klinikë private
te mjeku psikiatër. Bashkëshortin e futëm në terapi për rehabilitim nga alkoolizimi.
Pajisëm me tekste fëmijët që ndiqnin shkollën. Regjistruam vajzën e vogël në kopësht
ditor. Të rriturit e familjes u futën në kurs për integrimin social...Kërkuam ndihmën e

- 38 -
policisë për të mbikëqyrur e ruajtur bashkëshortin, gjatë kohës së shtrimit në spital,
për shkak të frikës që kishin nga gjakmarrja për një krim që e kish kryer i vëllai i tij
vite më parë...”. 20
Organizatat jofitimprurëse punojnë kryesisht me familjet e ngujuara, së pari,
sepse problemet në këto familje janë shumë të rënda dhe, së dyti, sepse familjet e
viktimave janë shumë të rezervuara dhe shumë prej tyre nuk preferojnë të
bashkëpunojnë me organizatat teksa “përgatiten për krimin e pritshëm”.
Pjesa më e madhe e organizatave operojnë në qytetet kryesore, Tiranë ose
Shkodër, dhe i ofrojnë shërbimet e tyre në komunitet nëpërmjet vizitave periodike. Në
fakt, kjo e bën të dobët ndikimin e tyre. Nga ana tjetër, shumica ndihet e pafuqishme
në përpjekjen për të ndryshuar mentalitetin në mënyrë që të parandalohet hakmarrja
apo gjakmarrja. Ato e shohin rolin e tyre si lehtësues të pasojave, por ndjehen të
dobëta të merren me ndryshimin e situatës.
Të punosh me familjet e ngujuara nuk është punë e lehtë. Të gjithë ekspertët
vënë deri jetën e tyre në rrezik për të ndihmuar këto familje. Jo pak prej tyre janë
kërcënuar apo u dërgohet fjalë për t’u tërhequr. Shumë përballen edhe me vështirësi
financiare për të mbështetur familjet. Nga ana tjetër, ata punojnë vetëm. Vetëm në një
rast është raportuar se kanë bashkëpunuar me OJF të tjera lokale, edhe pse shumë
prej tyre deklaronin se bashkëpunimi i të gjithë aktorëve është domosdoshmëri për
trajtimin e situatës së gjakmarrjes në Shqipëri.
Megjithatë, siç u theksua, organizatat dhe shoqatat e ndryshme, punojnë
kryesisht në shërbimet praktike për të plotësuar nevojat e përditshme të këtyre
familjeve, por e gjejnë shumë të vështirë të përfshihen në procesin e negociatave dhe
thonë se në këtë çështje shteti me mekanizmat e tij mund të luajë një rol vendimtar.

6. ANALIZA NGA PERSPEKTIVA E GRAVE TË PËRFSHIRA NË SITUATË


GJAKMARRJEJE
6.1 Profili i familjeve të përfshira në gjakmarrje
Gratë që intervistuam jetonin ose si kurorë më vete, ose në familje të mëdha me dy
apo tre kurora dhe fëmijët e tyre në të njëjtën banesë, ose pranë njëra tjetrës, por që
e konsideronin veten si një familje. Në dhjetë nga dymbëdhjetë raste, familjet ishin të
ngujuara në shtëpitë e tyre apo të fshehura diku tjetër. Në një rast gruaja ishte
zhvendosur në Tiranë, bashkë me dy fëmijët e saj, pas vrasjes së burrit për gjakmarrje,
ndërsa në një rast tjetër gruaja ishte nga familja e gjakësit. Periudha e ngujimit të
këtyre familjeve ishte nga 6 muaj deri në 18 vjet. Familjet ishin kryesisht nga veriu,
20
Sipas dëshmisë së marrë më 29 prill 2013, nga L.A përfaqësuese e organizatës “Hapa të Lehtë”,
Shkodër.
- 39 -
nga malësia dhe qyteti i Shkodrës, Lura, Tropoja, Dibra dhe fshatrat e Tiranës. Vetëm
një nga të intervistuarat ishte nga Vlora (në jug), por e martuar në Shkodër.
Aktualisht shumica e familjeve jetojnë në rrethinat e Shkodrës dhe në Tiranë e zonën
rreth saj. Një pjesë e mirë e familjeve kanë emigruar nga zonat e thella të veriut,
ndërsa u një rast kishte lënë qytetin dhe ishte rivendosur në një fshat.
Në 5 raste, gratë qenë kryefamiljare, 3 nga bashkëshortët kishin vdekur, një
kishte vrarë veten dhe një ishte vrarë për gjakmarrje. Në tre raste burrat jetonin të
ngujuar me familjet e tyre.
Disa nga familjet e anketuara ishte futur në gjakmarrje jo për shkak të
veprimeve të një mashkulli nga familja e tyre e afërt, por për shkak të një kushëriri që
nuk jetonte me ta. Ky fakt mbështet argumentin se edhe pse të etiketuara si
gjakmarrje, disa raste janë vrasje për hakmarrje fshehur nën maskën e gjakmarrjes, gjë
që i bën ato raste hibride. Dukuria e kohëve të sotme i ngjan asaj të lashtës në dy
elemente: hakmarrjes gjak me gjak dhe ngujimit si masë mbrojtëse. Të gjitha rregullat
e tjera mbeten të paqarta dhe fluide. Në disa raste gratë e intervistuara e shpjegonin
gjendjen e tyre si pasojë të një vrasjeje për hakmarrje. Për më tepër, fakti që edhe
fëmijët, disa herë edhe vajzat, mbaheshin në shtëpi është një tregues se rregullat e
vjetra nuk respektohen më.
Të gjitha gratë e intervistuara ishin nëna, kishin nga një deri në pesë fëmijë.
Fëmijët ishin të moshave të ndryshme dhe më i vogli ishte 6 muajsh. Ai ishte fëmija i
parë i një nëne që kishte pritur dhjetë vjet burrin të plotësonte dënimin e gjykatës. Në
këtë rast të veçantë, edhe pse burri e kishte kryer dënimin për vrasjen që kishte bërë,
prapë duhej të ngujohej. Kishte shumë fëmijë të tjerë që kishin lindur në ngujim. Vlen
të përmendet rasti i nënës me 5 fëmijë, prej të cilëve 4 kishin lindur në ngujim.
Disa nga fëmijët shkonin në shkollë rregullisht, disa herë pas here, ndërsa disa
të tjerë ose e kishin lënë shkollën ose nuk e kishin filluar kurrë. Shumica e fëmijëve që
shkonin në shkollë shoqëroheshin çdo ditë nga gratë (nënat e tyre).
Gratë dhe vajzat kishin tetë vjet shkollë ose më pak, me përjashtim të njërës
prej tyre që kishte mbaruar shkollën e lartë. Mosha e grave shkonte nga 19 deri në 60
vjeç.

6.2 Kushtet ekonomike dhe sociale


Gjendja ekonomike e familjeve të intervistuara ishte shumë e vështirë. Një pjesë kishin
qenë të varfra që më parë, duke jetuar në zonat informale dhe me të ardhura
sporadike. Gjendja e re, e krijuar nga gjakmarrja, kishte përkeqësuar jetën e të gjithëve
në këto familje, vetëm një rast bënte përjashtim. Familjet që dikur kishin pasur
biznese (të vogla), i kishin ato.

- 40 -
Të gjitha familjet, mbaheshin me punët e bujqësisë kur jetonin në fshat ose
punë të rastit kur ishin në qytet. Ndihma nga familjarë e shoqatat jofitimprurëse ishte
burim i dytë të ardhurash vetëm për pak prej tyre. Ato kishin mangësi të theksuara
për të gjitha shërbimet e tjera, përfshi ato shëndetësore. Ekonomia e dobët bënte që,
edhe kur ishte e mundur t’i dërgonin fëmijët në shkollë, varfëria t’i pengonte dhe
vajzat ishin të detyruara të ndihmonin nënat e tyre. Kështu, kushtet në të cilat
gjendeshin këto familje i kishin detyruar gratë të ktheheshin në fitueset e vetme të
bukës së gojës. Pjesa më e madhe e tyre ishin në nivel mbijetese dhe jo në standard
normal. Familjet që kishin një kohë të gjatë në gjakmarrje kishin shkëputur lidhjet me
pjesën tjetër të fisit, duke u bërë kështu edhe më të pambrojtura.

6.3 Ndikimi i gjakmarrjes në jetën e grave


Kur kërcënimi i gjakmarrjes bëhet i pranishëm, shumë familje fshihen ose mbyllen në
shtëpi. Ngujimi bëhet një mënyrë për vetëmbrojtje, ndoshta mënyra më efikase.
Shumica e familjeve ngujohen edhe si një masë parandaluese, sepse nganjëherë nuk e
dinë në duhet të mbrohen apo jo. Gjithsesi, padituria ushqen frikën. Kur i pyetëm,
shumica e grave na thanë se nuk e dinin, por nuk guxonin të dilnin e të bënin një jetë
normale. Institucionet nuk e garantojnë sigurinë e tyre, prandaj ato janë të detyruara
të bëjnë një jetë paralele, që nuk mbulohej nga ligji dhe shteti.
Për më tepër, situata e gjakmarrjes ka thelluar më tej fenomene sociale tashmë
të pranishme si varësia e burrave nga alkooli, si edhe probleme të shëndetit fizik dhe
mendor (depresion, paaftësi për të komunikuar dhe bashkëvepruar në komunitet,
trauma, probleme me dhëmbët, me shikimin etj.). Është bërë shumë e vështirë, në
mos e pamundur, të gjejnë një zgjidhje për problemet sociale apo të sigurojnë barnat
dhe mjekimet për fëmijët dhe veten e tyre.
Jeta e grave kishte ndryshuar tërësisht prej gjakmarrjes. Trauma e vrasjes i
kishte lënë shumë prej tyre në gjendje tronditjeje. Rastet më të vjetra dukej se ishin
mësuar me idenë, duke e pranuar atë si një fatalitet. Në fakt, shumica e pranonin
situatën e tyre si të pashmangshme. Deklarata e një gruaje 39 vjeçare në Shkodër, e
cila ka gjashtë fëmijë dhe jeton aktualisht e ngujuar për shkak të gjakmarrjes: “Unë
jam thjesht një hije… jetoj vetëm për fëmijët e mi” tregon se ato e quajnë jetën e tyre
krejt të pa vlerë. 21
Rasti 8 i studimit, për shembull, ishte nëna e dy djemve, që ishin fshehur pas
vrasjes së kryer nga një kushëri i babait të tyre. Ata s’kishin asnjë lidhje me atë që
ishte vrarë, por sipas gruas, nëse një nga familja e tyre kishte vrarë, atëherë ishte e
drejtë të konsiderohej se ishin të gjithë në gjak dhe të ndiqeshin procedurat që

21
Ky është një pohim jo direkt dhënë studiueses nga rasti 4.
- 41 -
diktonte Kanuni (të fshehurit ose ngujimi, dërgimi i ndërmjetësve për marrjen e besës
për fëmijët dhe të tjera si këto). I njëjti qëndrim vihej re edhe në raste të tjera, kur
gratë justifikonin jo vetëm situatën, por edhe këdo që donte të merrte gjakun e dikujt
dhe synimin për ta kryer krimin në çfarëdo kohe, shpejt a vonë.
Gjakmarrja i kishte vënë edhe gratë në rrezik jete. Të ndikuara nga rastet
tragjike të pasqyruara në media, ato pretendonin se nuk kishin siguri as për veten dhe
fëmijët22. Nuk besonin se kishin siguri për jetën, pavarësisht se sipas Kanunit gratë
dhe fëmijët nuk mund të prekeshin.
Megjithatë, edhe pse me këtë barrë frike, të detyruara të siguronin ushqimin
për familjen, ato kryenin çdo funksion dhe detyrë familjare jashtë shtëpisë. Për gratë
në fshat dhe në zonat informale gjetja e një pune me pagesë kishte qenë dhe
vazhdonte të mbetej shumë e vështirë. Ato punonin tokën, mblidhnin produkte
bujqësore dhe mbanin ndonjë lopë a bagëti të imët për të mbajtur familjen. Ndonjë
nga gratë e moshuara kishte edhe pensionin nga puna në kooperativën e dikurshme,
që ndonëse të pakët, ishte një kontribut i drejtpërdrejtë për mbajtjen e familjes. Për
shkak të vendbanimit në fshat dhe rrjedhimisht zotërimit të ndonjë ngastre toke, këto
familje nuk përfitonin ndihmë ekonomike, duke mos pasur kështu asnjë lloj mbështetje
sociale institucionale. Nganjëherë, sidomos kur familja ishte zhvendosur në Tiranë,
gratë punonin “në të zezë” , si rasti në Tiranë, e cila punonte me kohë të pjesshme si
punëtore në një familje (familja e saj, e përbërë nga 4 persona, mbijetonte vetëm me
të ardhurën e saj). Mes tyre kishte familje që kishin migruar në qytet menjëherë pas
gjakmarrjes dhe nuk kishin arritur të çregjistroheshin ligjërisht nga vendi ku kishin
qenë, apo të regjistroheshin në bashkinë e vendbanimit të ri, duke humbur rastin të
përfitonin ndonjë ndihmë ekonomike.

6.4 Situata e fëmijëve


Fëmijët e këtyre familjeve po rriten në kushte privimesh të jashtëzakonshme. Rastet
më ekstreme ishin ato të fëmijëve, që siç u përmend, jetonin të ngujuar që prej ditës
që kishin lindur. Për rrjedhojë, atyre u ka munguar shkollimi, moshatarët, lojërat
jashtë me ta, ndërveprimi social, ose thënë ndryshe vetë fëmijëria. Në dy-tri raste, kur
fëmijët kishin qenë të pranishëm në vrasjen e kryer apo në momentet e para pas
ngjarjes së rëndë, ata ende vazhdonin të vuanin pasojat e traumës (vajzat e rastit 5/6
dhe djali i rastit 2).
Kështu, për shembull, djali i rastit 2 kish qenë vetëm 3 vjeç kur ndodhi ngjarja.
Por ai mbante mend me detaje se çfarë kish ndodhur. Mbante mend kur kishte ardhur
22
Pavarësisht faktit se janë të rrallë, referenca është për raste si ai i vajzës 17 vjeçare vrarë para disa
muajve si dhe vrasja e një djali të mitur teksa ndiqte shkollën në Bushat të Shkodrës, para disa
vjetësh.
- 42 -
gjyshi (autori i vrasjes) në shtëpi i gjakosur, gratë duke bërtitur, policinë në shtëpi,
arrestimin e gjyshit, nënën duke qarë, babanë që u mbyll në shtëpi, shpërnguljen në
Fushë-Krujë. Ai kishte kaluar pas kësaj një periudhë të vështirë depresioni. Nëna e tij
na tha se djali kishte kaluar 2 vjet në gjendje shumë të vështirë, shprehte ankth, shihte
ëndrra të frikshme, zgjohej natën. I ishte dashur shumë kohë dhe përpjekje që të
qetësohej.
Përpos problemeve me shëndetin mendor, më pas djali kishte pasur dhe
probleme të tjera. Ai kishte ndërruar disa herë shkollën. Fillimisht e kishin dërguar
shumë larg për të qenë më i sigurt, por në atë shkollë kishin qenë disa kushërinj të
gjakësit, të cilët e kishin rrahur disa herë. Sipas nënës së tij kjo nuk kishte lidhje me
gjakmarrjen, ishin thjesht çështje fëmijësh, por sipas djalit kishte të bënte pikërisht me
atë problem. Më pas kishte vajtur në një shkollë tjetër, por dhe nga aty e kishin hequr
pasi kishin filluar të shkonin dhe fëmijë nga familja e gjakësit. Tani ishte në një shkollë
tjetër dhe e çonte dhe e merrte e ëma. Të gjithë kishin shumë frikë për të, pasi ai
ishte dhe fëmija më i madh dhe ishte djalë. Ndërkohë që personi që ishte vrarë kishte
një djalë në të njëjtën moshë. Fëmija e perceptonte frikën, por çuditërisht dukej
shumë i qetë, tamam i rritur dhe i ambientuar me këtë problematikë. Ai fliste për
familjen e të vrarit, dukej që dinte shumë detaje dhe mbahej në korrent mbi çdo gjë.
Ishte e qartë që diskutimet në familje bëheshin dhe në sytë e fëmijëve, pasi ata rrinin
aty edhe gjatë intervistës sonë dhe ndërhynin herë pas here në bisedë, sidomos djali.
Në rastin 7, gjakmarrja kishte pasur pasoja shumë të rënda te vajzat. Vajza e
madhe kishte qenë vetëm 5 muajsh kur kish ndodhur ngjarja dhe sot është 19 vjeç.
Ajo kishte qenë e fshehur në mal ashtu si e gjithë familja, dhe më pas ishte mbyllur në
shtëpi gjithë kohën. Dukej jo e socializuar. Edhe pse e pranishme gjatë intervistës, ajo
nuk ishte në gjendje të shprehte ndonjë mendim të vetin në lidhje me situatën në të
cilën ndodhej. I kishte kaluar vitet e saj e izoluar. Për herë të parë do të shkonte tek
tezja në Tiranë gjatë javës së intervistës. I vetmi person që ishte marrë me të ishte
motra e saj më e vogël, e cila ishte viktima më e madhe e situatës ku gjendej familja e
saj. Ishte vrarë në mënyrë tragjike para pak kohësh, në rrethana shumë të veçanta.
Ishte vetëm 13 vjeç, kur e morri i ati me vete t’i shërbente në mal dhe pas disa muajsh
e kishte vrarë, duke vrarë dhe veten. Pasojat e gjakmarrjes në këtë familje ishin të
shumëfishta. Djali më i madh i familjes shfaqte zemërim dhe synonte të merrte gjakun
e të motrës, për të cilën fajësonte xhaxhallarët e vet (vëllezërit e të atit), që nuk kishin
bërë asgjë për të parandaluar tragjedinë. Ky rast tregon se periudhat e gjata në ngujim
dhe varfëri e amplifikojnë fenomenin, edhe pse jo sipas normave të Kanunit. Në këtë
rast specifik, një djalë 11 vjeç, lindur dhe rritur në një situatë të tillë, mendon të marrë
gjak ndaj xhaxhallarëve që nuk kishin ndërhyrë për t’i shpëtuar motrën.

- 43 -
Nga të gjitha intervistat duket se fëmijët e rritur në këto kushte këtë situatë e
trajtonin si normale. Ndër gratë ekziston frika se kur fëmijët të rriten do të ndjekin të
njëjtat modele sjelljeje (rasti 2 dhe 7).

6.5 Perceptimi i rolit të shtetit


Nga intervistat me gratë del qartë se shteti është jashtë jetës së tyre. Shumica e grave
(përveç rastit 4 dhe 11) nuk kanë fare besim në një ndërhyrje efektive të tij. Edhe kur
u nxitën të mendojnë se si mund të ndërhyjë shteti, përgjigjja ishte ‘e çfarë mund të
bëjë shteti?!’ Ato nuk kishin besim te sistemi i drejtësisë, i cili shpesh i kishte
zhgënjyer. Një nga gratë na tregoi se kishte harxhuar shuma të mëdha me avokatë apo
persona që i kishin premtuar zgjidhje imediate. Po kështu, për sa kohë rrinin të vetë-
izoluara, edhe policia si instrument mbrojtës i shtetit në funksion të qytetarit nuk
konsiderohej si e aksesueshme. Me përjashtim të gruas në rastin 7, të tjerat nuk
merrnin asnjë ndihmë financiare nga shteti.
Besimi se shteti mund të ishte aktor kryesor në zgjidhjen e situatës ishte
minimal, në mos inekzistent.
Përjashtim bënin institucionet arsimore. Gratë kishin besim te mësuesit dhe
shkolla. Drejtoria e shkollave i kishin udhëzuar mësuesit që fëmijët që vinin nga
familjet në situatë gjakmarrjeje t’ua dorëzonin nënave apo një familjari të tyre në fund
të ditës së mësimit. Hulumtuesit dëshmuan se gjatë një interviste mësuesja i telefonoi
nënës për ta vënë në dijeni se atë ditë mësimi kishte mbaruar më herët dhe ajo po e
mbante fëmijën deri sa të shkonte ta merrte e ëma. Në përgjithësi gratë e perceptonin
këtë lloj ndihme si shumë të rëndësishme që i bënte ato të ishin të qeta në atë pjesë
të ditës.
Një tjetër mënyrë ndihme ishte dërgimi i mësuesve në shtëpitë e familjeve të
ngujuara, një praktikë e institucionalizuar nëpërmjet programit “Shansi i dytë”, një
program i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, i cili ofronte mësimdhënie në shtëpi për
fëmijët që nuk kanë mundësi të shkojnë në shkollë apo ishin disi më të rritur. Në
rajonin e Shkodrës, ky shërbim është ofruar edhe për fëmijët e ngujuar.
Vumë re se zgjidhjet e synuara nga gratë ishin nëpërmjet mekanizmave privatë
si për shembull, me pjesëtarë të familjeve të përfshira në gjakmarrje, ndërmjetës të
njohur si të tillë, apo klerikë (priftërinj, pastorë, imamë) dhe jo atyre publikë si policia,
pushteti vendor, gjykatat etj. Të intervistuarat ishin më të predispozuara të thoshin se
prisnin ndihmë nga institucionet fetare (kjo në rastet e familjeve në Shkodër, sidomos
në fshat) dhe shpesh nga “Zoti”, që tregon se tashmë ato e kanë humbur besimin tek
institucionet dhe presin që situata të ndryshojë vetëm nga ndonjë ndërhyrje e
papritur.

- 44 -
Kjo humbje e besimit tek organizimi shtetëror i shoqërisë, tek institucionet
publike dhe përfaqësuesit e tyre, e bën vetëgjyqësinë, gjakmarrjen apo vrasjet për
hakmarrje si formën më ekstreme të saj, simptomë të një të keqeje më të thellë dhe
serioze. Këto gra jetojnë në margjinat e shoqërisë shqiptare dhe ndjehen (dhe duket se
janë vërtetë) të braktisura dhe jashtë rrezes së vëmendjes së institucioneve. Kanuni, si
zgjidhje alternative rendi dhe drejtësie, u ofrua në një kontekst ku institucionet e
perandorisë osmane të kohës nuk arrin ta shtrinin krahun e veprimit të tyre deri te
zonat e thella, kryesisht malore. Është fakt historik se Kanuni dhe pleqësia zbatuese
vepronte si zëvendësues i shtetit, kur ky mungonte ose nuk kishte fuqi/pushtet, duke
marrë përsipër të drejtën e dhunës legjitime. Duket se në shoqërinë e sotme shqiptare,
dhuna legjitime nuk është ekskluzivitet i shtetit dhe institucioneve të tij, gjë që e ka
dobësuar fuqinë e shtetit në sytë e këtyre qytetareve të tij, të cilat, për saqë nuk u
garantohet jeta dhe siguria, nuk mund t’i besojnë shtetit për asgjë tjetër.

6.6 Perceptimi i rolit të aktorëve të tjerë: media, shoqëria civile, institucionet


fetare
Reagimi i të intervistuarave ndaj mediave ishte shumë i prerë: ato s’donin të kishin të
bënin fare me to. Pjesa më e madhe e shihnin me dyshim ndërhyrjen e mediave,
ndiheshin të shfrytëzuara dhe të ekspozuara prej tyre. Për më tepër, disa prej tyre e
konsideronin median edhe si faktor negativ, i cili mund t’i ekspozonte ndaj hasmit,
duke iu rrezikuar jetën e familjes.
Në një rast na u tha se, kur procedurat e “pajtimit” pothuajse ishin mbyllur,
media e ekspozoi këtë rast, duke bërë që pala tjetër të tërhiqet dhe gjakmarrja të
vazhdojë. Përveç frikës, media shihej edhe si mekanizëm i diskreditimit publik, i cili do
ta rëndonte edhe më shumë situatën e tyre në komunitet. Me sa u kuptua nga
intervistat, reputacioni (ose thënë ndryshe ‘nderi’) ishte një faktor vendimtar në
sjelljen e tyre, duke kërkuar të ruhej maksimalisht privatësia e tyre. Vetëm në një rast
(3), gruaja tregonte interes ndaj medias, veçanërisht medias investigative. Ajo nuk
kishte besim te sistemi gjyqësor dhe e perceptonte vendimin e gjykatës si të padrejtë
dhe të korruptuar. E bindur se djali i saj ishte i pafajshëm dhe nuk e kishte kryer
krimin, ajo kërkonte vëmendjen e medias për të treguar historinë e “vërtetë”, me
qëllim që të tërhiqte vëmendjen e familjes së viktimës si dhe të sistemit gjyqësor.
Në lidhje me shoqërinë civile, ose më saktë organizatat jofitimprurëse, u vunë
re dy qëndrime të dallueshme. Një pjesë e familjeve ishin shumë mirënjohëse, pasi
OJF-të kishin qenë të vetmet që i kishin ndihmuar me ndihma konkrete dhe
mbështetje në shërbime si arsimi, shëndetësia dhe përfshirja e fëmijëve në aktivitete
argëtuese e sociale. Madje në disa raste, këto organizata kishin ndikuar te familjet me
elemente emancipuese, si për shembull marrjen e djalit dhe vajzës në kamp veror, dhe

- 45 -
këmbënguljen për ta marrë vajzën përkundër refuzimit të familjes dhe mentalitetit të
tyre të diferencimit gjinor. Për më tepër, OJF-të ofronin aktivitete shoqërore edhe për
gratë, që nga kurset e trajnimit deri tek takimet shoqërore me gra të tjera.
Në raste të tjera, familjet ndiheshin të përdorura nga organizatat për qëllimet e
tyre dhe të braktisura sapo përfundonin projektet. Disa prej tyre pretendonin ndihma
materiale dhe i konsideronin format e tjera të bashkëpunimit si studimet, përfshi edhe
këtë studim, si shfrytëzim që i bëhej problemit të tyre. Në tri prej intervistave, gratë
refuzuan në mënyrë kategorike të regjistroheshin (madje kërkuan të mbylleshin dhe
telefonat celularë), përpiqeshin t’i shmangeshin disa pyetjeve dhe ishin shumë
dyshuese për qëllimet e intervistës. Siç u përmend dhe në shpjegimin e metodologjisë,
ne ramë dakord me gjithë të intervistuarat të ruajmë privatësinë e tyre, duke mos
publikuar emrat dhe duke mos i nxjerrë regjistrimet e intervistave jashtë grupit të
punës.
Institucionet fetare dhe organizatat e tjera të bamirësisë të asociuara me to
duket se gëzonin një shkallë respekti dhe mirëbesimi te gratë e Shkodrës, sidomos në
zonat rurale. Ato e konsideronin mbështetjen e tyre si pozitive, edhe pse pranonin
kufizimet e kësaj ndërhyrjeje. Në rastin 5/6 pastori ishte përpjekur të ndërhynte në
pajtimin e dy familjeve, por familja tjetër e kishte shpërfillur përpjekjen e tij, duke mos
i kthyer përgjigje. Gjatë intervistës me rastin 4, gjithashtu na u tha se familjet
myslimane dhe ato të besimit ungjillor ishin më të predispozuara të falnin se ato
katolike. Gjatë këtij studimi nuk gjetëm të dhëna të tjera të mjaftueshme për ta
mbështetur këtë pohim.
Pra, vumë re se besimi tek aktorët e tjerë shoqërorë është më i madh sa ai ndaj
shtetit, sidomos kur është fjala për zgjidhjen e konfliktit, por për sa i përket ndihmës
materiale, kujdesit shëndetësor e të tjera si këto pritshmëria nga shteti është më e
lartë. Mosbesimi i përgjithshëm, edhe pse jo gjithmonë i justifikuar, i ka çuar këto
familje një izolim gjithmonë edhe më të madh.

6.7 Roli i grave në faljen e gjakut


Shumica e grave nuk kishin asnjë shpresë konkrete që gjaku do t’iu falej dhe ato do të
jetonin një ditë të lira. Disa prisnin ndihmë vetëm prej pleqësisë apo të afërmve që
mund të ndërmjetësonin ndonjë pajtim. Të tjera mendonin se largimi përfundimtar
nga Shqipëria do t’i bënte më në fund të lira. Megjithatë, kishte edhe nga ato (rasti 6),
që pohonin se edhe largimi nuk ishte zgjidhje, sepse dinin shembuj ku gjakmarrja
kishte emigruar bashkë me familjet.
Një tjetër problem që shoqëron fenomenin është paqartësia mbi të
ashtuquajturat rregulla. Kur disa nga familjet kanë dërguar lajmës, këta të fundit janë
përzënë, madje dhe kërcënuar. Në raste të tjera, kur ndërmjetësit kanë shkuar të
- 46 -
takojnë familjen tjetër, kanë hasur në heshtje dhe si përfundim nuk kanë kuptuar nëse
familja në fjalë do të merrte hakun apo jo. Kjo pasiguri, e cila përsëritet edhe kur
kërkohet besa për fëmijët, i ka shtyrë frikërat e këtyre familjeve në paranojë e për
rrjedhojë në ngujim, i cili nga ana e vet ka ndikuar negativisht jo vetëm në gjendjen
ekonomike, por edhe atë psikologjike e sociale të këtyre familjeve.
Falja e gjakut sipas Kanunit realizohet nëpërmjet ndërmjetësimit të një personi
a grupi njerëzish, që gëzon respektin e të dyja familjeve. Elezi (2000), studiues i
njohur i të drejtës zakonore, shpjegon se këtë rol mund ta luajnë si burrat ashtu dhe
gratë. Megjithatë nga intervistat tona dalluam një situatë shumë më komplekse. Pjesa
më e madhe e diskutimeve mbi faljen e gjakut nuk kryheshin në praninë e grave dhe
ato ndjeheshin të pafuqishme për të bërë ndonjë gjë, që mund të ndryshonte fatin e
tyre. Por pafuqia e tyre ishte e kombinuar me një pranim të faktit se kjo gjë nuk u
përkiste grave. Edhe rasti 4, ku gruaja ishte me shkollë të lartë dhe e angazhuar
shoqërisht, nuk e shikon gruan si aktore në faljen e gjakut. Ajo shprehimisht deklaroi
se kjo gjë u përket burrave. Kështu, sipas shumicës së të intervistuarave,
ndërmjetësimi ishte detyrë e burrit:
“Falja e gjakut është diçka që mund ta bëjnë vetëm burrat e moshuar... gratë
nuk mund të marrin pjesë” (Rasti 7).
Ose rasti kur vetë gruaja kishte menduar të bënte një hap pajtimi,
“Djemtë më thanë mos shko, kjo është punë e burrit dhe jo e gruas... Dhe
djemtë kanë të drejtë; kjo është punë e burrit dhe gruaja nuk mund të shkojë e të
flasë me familjen në gjak për gjëra të tilla” (Rasti 8).
Përjashtim bëjnë nënat, sidomos ato më të moshuara, të cilat kanë bërë një farë
përpjekje duke u bërë apel nënave të palës tjetër. Vihet re se edhe kjo lloj ndërhyrjeje
është pak më e guximshme dhe konkrete, kur në familje mungon burri (nga që ka
vdekur, është burgosur apo ka emigruar). Në këto raste, tagri i nënës dhe i
kryefamiljares ndërthuren duke i shtyrë gratë ta kërkojnë vetë zgjidhjen përfundimtare
nëpërmjet kërkimit të faljes. Nga rastet e intervistuara nga ne, ato nuk kishin qenë të
suksesshme, dhe ndiheshin konfuze mbi atë se çfarë mund të bënin tjetër për të
gjetur një zgjidhje.
“Një herë kërkova të flas me kushëririn e burrit tim, i cili është i moshuar dhe
ka qenë edhe vet në gjakmarrje, por përgjigjja e tij ishte… “Mos fol me njeri, kjo mund
t’i përkeqësonte gjërat, lere të shuhet vetë dalëngadalë”. Edhe kur unë ngula këmbë se
dikush duhet të flasë me dikë, ai m’u përgjigj se këtë nuk duhet ta bësh ti, sepse ata
do mendojnë se ti interesohesh vetëm për hallin tënd dhe jo për ata” (Rasti 5).
Por nga intervistat dolën edhe raste kur gratë merrnin iniciativën të ndërhynin
duke kontaktuar njerëz të tjerë, duke i nxitur ose duke u premtuar shpërblim financiar
që të bisedonin me familjen tjetër për faljen e gjakut. Në një rast (numër 3) gruaja ka
- 47 -
telefonuar drejtpërdrejtë nënën e viktimës. Ia vlen të përmendim se këto iniciativa
ishin marrë në familjet ku gratë ishin kryefamiljare.
Nga ana tjetër, kur u pyetën nëse do të ishin vetë në gjendje të falnin gjakun,
shumica thanë “po”, por shtuan se vendimi do të ishte shumë më i vështirë nëse
viktima do të ishte fëmija i tyre. Gruaja në rastin 7, na tha se nëse i shoqi nuk do të
kishte vrarë veten ajo nuk do ta kishte falur për vrasjen e vajzës së tyre. Shumica e
grave e konsideronin faljen si një akt sublim dhe shtonin se vetëm një qenie njerëzore
superiore “më e fortë” mund të falë. Një thënie e tillë na bëri të mendojmë se
pavarësisht vlerësimit të një akti të tillë, ato mendonin se ishte shumë e vështirë të
zbatohej në jetën reale.

6.8 Barra e shumëfishtë e grave


Në familjet e ngujuara dy janë problemet kryesore të grave: e para është të vazhdojnë
në çdo mënyrë të mundshme të kujdesen për mirëqenien e familjes duke marrë
përsipër rolin e burrit dhe e dyta, të bëjnë një përpjekje, sado e pjesshme, të
ndërmjetësojnë për zgjidhjen e gjakmarrjes përmes faljes.
Gratë i kanë gjetur mënyrat e mbijetesës duke punuar tokën, duke siguruar
punë sezonale, duke kërkuar ndihmë nga familjet e tyre të origjinës, duke krijuar
lidhje me OJF, duke ndjekur shërbesat fetare, duke i dalë zot familjes, sepse, siç është
përmendur, shumica e burrave ose kanë vdekur, janë burgosur, kanë emigruar, ose
sepse thjeshtë për shkak të ngujimit ata nuk mund të kujdesen më për familjet e tyre.
Shumica e grave të intervistuara thonë se ndjehen të braktisura nga të gjithë,
duke filluar nga anëtarët më të afërt të familjes, tek anëtarët e komunitetit ku jetojnë,
dhe përfaqësuesit institucionalë në përgjithësi. Ky përfundim ka dalë nga pohime të
tilla si:
“Tre nga vëllezërit e mi nuk më flasin, sepse kanë frikë për jetën e tyre...” (Rasti
1).
Ose
“Përderisa nuk kam asnjë vëlla, kush tjetër do të më ndihmojë, të gjithë më
largohen” (Rasti 2).
Ose
“5 vjet ngujim sjellin shumë vështirësi. Ime bijë është divorcuar për këtë arsye...
Vajzën e saj e kanë çuar në kopësht vetëm tani, ndërsa ish burri i saj është martuar
përsëri ...” (Rasti 3).

- 48 -
“Do të desha që shteti të më siguronte një të ardhme më të mirë për fëmijët. E
shoh me sytë e mi se si po rriten. Kur ti bie, gjithkush përpiqet të ta bëjë jetën edhe
më të vështirë” (Rasti 7).
“Nuk kemi marrë asnjë lek, as edhe një dhjetëshe që të mund t’i bënim atij një
vizitë në burg. Po dorën s’ia shtrij askujt” (Rasti 6).

Një qëndrim i tillë i ka bërë të kërkojnë zgjidhje të tjera për mbrojtjen dhe mirëqenien
e familjeve të tyre...
“Vajza e madhe më kërkon të largohemi nga Shqipëria përgjithmonë, sepse
nuk kemi asnjë më mundësi, por unë nuk kam guxim ta bëj këtë. Shteti duhej të
kujdesej, por askush nuk do t’ia dijë. Nuk më pëlqen të flas për gjërat, do të doja… Jeta
e këtyre fëmijëve nuk është në Shqipëri. Ata duhet të largohen e të vendosen diku
tjetër, kanë parë shumë, kanë dëgjuar shumë, kanë nevojë të jetojnë në një vend ku
mund të harrojnë ato që kanë parë e dëgjuar. Po t’ju tregoja disa nga ato që kanë parë
e dëgjuar, ju ndoshta do të mendonit se po e teproj... nuk do ta besonit dot...” (Rasti
7) 23.
Pavarësisht elementit të viktimizimit dhe pafuqisë që ndihej në fjalën e tyre, që
në disa raste tregonte moralisht dorëzim, ato prapë kërkojnë forcë të përballen me
situatën. Gruaja në rastin 4 na tha se ishte ajo që kryente të gjitha punët jashtë
shtëpisë, kur i shoqi ishte i detyruar të rrinte mbyllur në shtëpi. Ajo e kishte
mbështetur kur ai kishte vendosur të sfidonte gjakmarrjen, të dilnin nga ngujimi dhe
të vazhdonin jetën normale. Dhe kur ky vendim i kishte kushtuar atij jetën, ajo kishte
vazhduar punën e saj, kish ngritur një shoqatë, në mbështetje të shtresave vulnerabile,
sidomos për familjet në gjakmarrje.

6.9 A janë gratë vendimmarrëse në familjet e ngujuara?


Nga intervistat duket se izolimi i burrave kishte çuar në dy skenarë. Në të parin është
gruaja, burri i të cilës ishte i detyruar të jetonte i ngujuar, e ngarkuar me të gjitha
detyrimet që nga ana kulturore mendohet se i takojnë burrit. Por kjo nuk kishte çuar
në rritjen e pushtetit të saj vendimmarrës në familje. Këto gra duhej të merrnin leje
për çdo gjë te burrat e tyre, madje dhe për intervistat për këtë raport. Në tri raste,
gratë na takuan në një mjedis jashtë familjes, pa kërkuar leje nga burrat. Ato shprehën
hapur frikën nga pasojat me të cilat mund të përballeshin nëse burrat merrnin vesh
për intervistat. Në dy raste të tjera, takimet e organizuara nga ndërmjetësja jonë në
komunitetin e Bathores u anuluan kur e morën vesh burrat dhe ata kërcënuan jo
vetëm gratë e tyre, por edhe ndërmjetësen tonë. Këto lloj grash jetonin në presion të
23
Kryefamiljare, me kohën më të gjatë të ngujimit (18 vjet).
- 49 -
vazhdueshëm psikologjik dhe, edhe pse nuk qemë në gjendje ta vërtetojmë, ne
mendojmë se ishin nën kërcënimin e dhunës fizike. Ndërkohë, nga të dhënat e
mbledhura nga aktorët kryesorë, duket se gjendja e grave përkeqësohet më tej nga
xhelozia e burrave, alkoolizmi dhe në një rast dy familje të lidhura nga martesa ishin
në gjak, sepse burri kishte vrarë gruan e tij.
Gruaja në rastin 7 na pohoi se ‘ato që kishin hequr ajo dhe të bijat s’rrëfehen
me gojë’, duke lënë të kuptojë dhunën e vazhdueshme të të shoqit, përfshirë edhe
vrasjen e vajzës së vet.
Nga ana tjetër, ishin tre gra që sfiduan autoritetin e burrave të tyre duke
ardhur fshehurazi në takimin tonë. Ato kanë gjetur një mënyrë alternative, ku burrit i
lihet përshtypja e pushtetit vendimmarrës, ndërsa ato e ushtronin pushtetin e tyre në
rrugë të tërthorta. Nuk duam të sugjerojmë këtu që kjo është një zgjidhje, sidomos
duke pasur parasysh se çfarë mund të ndodhë nëse burri e merr vesh këtë sjellje, por
shohim që mentaliteti i nënshtrimit ndaj vullnetit të mashkullit është lëkundur te këto
gra, edhe pse ende jo aq të guximshme sa ta sfidojnë hapur atë.
Skenari i dytë i referohet grave, burrat e të cilave ose kanë vdekur, ose kanë
emigruar apo janë shkëputur nga familja. Në këto raste gratë janë edhe
vendimmarrëse edhe janë vetë ato që i zbatojnë vendimet e tyre. Këto gra jo vetëm
përpiqen të sigurojnë jetesën e familjes, por edhe të gjejnë mënyrën më të mirë për ta
bërë këtë. Në këto raste, vumë re se gratë konsultohen për problemet e familjes edhe
me pjesëtarët e tjerë të saj si fëmijët, prindërit, vëllezërit apo të afërm të tjerë më të
moshuar, edhe pse kjo nganjëherë mund të çojë në një mendësi seksiste, duke i rritur
djemtë ende të vegjël me idenë e “burrit të shtëpisë”, duke pranuar kështu pushtetin e
tyre të përkohshëm dhe se ai do të kalojë te djemtë e tyre sapo ata të rriten.
Pushteti vendimmarrës, sidomos në aspektin e gjakmarrjes, mendohet dhe
ushtrohet si një detyrë e burrit, madje edhe në ato raste kur bashkëshorti ose babai
nuk jetonte. (Rastet 7 dhe 8).
Jeta në vështirësi, pa arsimim të mjaftueshëm, në varfëri, në mungesë të
ndërveprimit shoqëror (sidomos për djemtë) ka pasoja të ashpra për rritjen dhe të
ardhmen e tyre. Pyetja që bëjmë është: cilat janë perspektivat e jetës së secilës e secilit
prej pjesëtarëve të këtyre familjeve? Dhe duke marrë në konsideratë edhe rastin
optimal kur më në fund gjaku është falur, a do të kenë ato/ata mundësi të bëjnë pas
kësaj një jetë normale, të krijojnë familje dhe të jetojnë si gjithë të tjerët?

PËRFUNDIME
Gjakmarrja në Shqipërinë e sotme është një formë hibride e vrasjes për hakmarrje, e
justifikuar normat e praktikës primitive, por që i ngjan të parës kryesisht në synimin

- 50 -
për të vrarë personin që ka kryer krimin ose një anëtar tjetër të familjes së tij dhe në
faktin që familjet ngujohen për të mbrojtur jetën e tyre. Faktorët socialë dhe kulturorë
kanë ndikim më të madh mbi gjakmarrjen krahasuar me faktorët institucionalë dhe
qeverisës. E drejta zakonore, shpesh e keqpërdorur ose edhe e rishpikur, vazhdon të
ndikojë te brezi i ri, shkaktuar edhe nga një boshllëk gati absolut vlerash të reja
kulturore.
Ka pasur përpjekje për të vlerësuar shkallën e problemit, por të dhënat mbeten
jo bindëse, sepse thuhet se agjencitë qeveritare tentojnë të ulin numrin e tyre, ndërsa
shoqëria civile tenton ta rritë atë. Fenomeni i gjakmarrjes, edhe pse aktualisht i shtrirë
në mjaft qarqe, është më i ndjeshëm në malësinë e Shkodrës dhe rrethinat e saj, në
Kukës, Pukë, Tropojë, Lezhë, Mirditë dhe Dibër.
Shkaqet kryesore të problemit lidhen me reagimin e pamjaftueshëm të sistemit
të drejtësisë dhe rendit publik si edhe të qeverisjes qendrore dhe lokale. Si rezultat, të
dhëna sado indirekte, tregojnë se qindra familje janë ende sot të izoluara, një kusht që
ka prekur jetën e tyre në mënyrë të konsiderueshme. Zotërimi i jashtëligjshëm i
armëve në shkallë të konsiderueshme nga popullata dhe procesi i papërfunduar i
çarmatimit është faktor shtesë që ushqen gjakmarrjen. 24 Gjatë viteve 1997-1998 ka
pasur një lidhje të drejtpërdrejtë të armatosjes së popullsisë me numrin e lartë të
viktimave për shkak të gjakmarrjes. 25
Deri tani në fokus të kësaj dukurie kanë qenë burrat, bazuar në supozimin se
Kanuni i përjashton gratë dhe fëmijët nga gjakmarrja. Rastet e njëzetë viteve të fundit
tregojnë se kjo nuk është më e vërtetë, duke bërë që të gjithë anëtarët e familjeve të
përfshira të vihen në rrezik dhe të vuajnë pasojat. Veç kërcënimit për jetën, nga
gjakmarrja burojnë edhe probleme të tjera sociale, psikologjike dhe ekonomike, që e
bëjnë të pasigurt atë.
Në dokumentet strategjike (siç është Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore
dhe Kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Dhunës në Familje; Strategjia Kombëtare e
Përfshirjes Sociale; Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim etj.) gratë e
familjeve në gjakmarrje nuk janë pjesë e ndonjë grupi vulnerabël të synuar, për
përmirësimin e gjendjes së tyre. Argumenti që jepet se ky grup grash konsiderohet si
pjesë e kategorive të: “Gra dhe vajza në nevojë” ose “Gra kryefamiljare” nuk merr
parasysh karakteristikat e veçanta të këtij grupi grash dhe si pasojë nuk trajton nevojat
e tyre për marrjen e masave të veçanta.
Shqipëria raporton rregullisht në Komitetin e CEDAW për përparimin aktual
lidhur me zbatimin e masave paraprake të Konventës. Raporti i parë i Qeverisë
24
99% e vrasjeve për gjakmarrje rezultojnë të jenë bërë nga zotërues armësh të paligjshme. Draft-
raport i veçantë i Avokatit të Popullit mbi fenomenin e hakmarrjes, f. 10.
25
Intervistë me Kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.
- 51 -
Shqiptare i vitit 2003 e prek fenomenin e gjakmarrjes, por pa e shoqëruar me ndonjë
statistikë, ndërsa raportet që pasojnë nuk e përmendin më këtë fenomen.
Gratë shpesh janë të “detyruara” të bëhen mbajtëset kryesore të familjes,
ndërsa konteksti lokal ka mbetur armiqësor, duke i vendosur kështu në situata tejet të
vështira që karakterizohen nga një varfëri në rritje, mungesa e sigurisë për veten dhe
fëmijët, probleme shëndetësore, probleme sociale, mungesë arsimimi dhe ai i një jete
normale.
Ndihma ekonomike (NE) jo vetëm është minimale, por edhe e kufizuar nga
probleme strukturore si vendi i banimit ose statusi ligjor që e bën të vështirë
kualifikimin e tyre për mbështetje ekonomike të qëndrueshme ose forma të tjera të
ndihmës ekonomike. Prandaj, të harruara nga shteti në termat e drejtësisë, mbrojtjes
dhe asistencës, këto gra nuk kanë besim te ndërhyrja institucionale. Ato dyshojnë edhe
te media dhe nganjëherë edhe tek organizatat e shoqërisë civile. Një shkallë besimi ato
kanë ndaj institucioneve fetare, sidomos në zonën e Shkodrës, nga kanë marrë
mbështetje të drejtpërdrejtë dhe derë më derë.
Pozicioni i ri u ka dhënë këtyre grave një farë fuqie vendimmarrëse, por ky
është kryesisht rasti i familjeve ku burrat e rritur mungojnë. Kur burrat jetojnë të
ngujuar me familjet e tyre, gratë gjenden përballë kërcënimeve më të mëdha të
dhunës dhe abuzimit nga bashkëshortët, pasojë edhe e qëndrimit të gjatë të tyre në
izolim.
Përfshirja e komunitetit është e ulët, edhe për shkak të frikës nga reaksioni që
vjen pas. Duket sikur në përgjithësi gjendja pranohet si një çështje e rrezikshme dhe
private e familjeve të përfshira në gjakmarrje, ku nuk duhet të ndërhyjë askush. Në
përgjithësi komuniteti e percepton ose/dhe e pranon se autori i krimit të gjakmarrjes
nuk duhet konsideruar kriminel. Ky perceptim i përgjithshëm ka ndikuar jo vetëm në
shtimin e krimeve të gjakmarrjes, por edhe në zbutjen e dënimeve të dhëna nga
gjykata për autorët e krimeve të tilla, sidomos në vitet ‘90 26, duke krijuar sipas
mendimit tonë precedentin.
Informacioni lidhur me llojet e shërbimeve që duhet e mund të marrin gratë e
familjeve në gjakmarrje, për të përmirësuar disi gjendjen e tyre, është i
pamjaftueshëm. Të mos flasim për informacionin mbi legjislacionin dhe strukturat
qeveritare, i cili pothuajse nuk ekziston fare. Mungesa e informacionit që duhet të ketë
ky grup vulnerabël mund të konsiderohet edhe si një nga arsyet kryesore të ndikimit
të dobët dhe të rolit që kanë gratë në zgjidhjen një situate të gjakmarrjes.

26
Intervistë me Kryetarin e Gjykatës se Krimeve të Rënda
- 52 -
REKOMANDIME
Gjakmarrja lidhet me dukuri të tjera ekonomike dhe sociale. Trajtimi me efektivitet i
saj, nxjerr nevojën e një qasjeje holistike, që të synojë komunitetet dhe individët.
Gjakmarrja kërkon një ndryshim apo adaptim të ri të sjelljes dhe aktivitetit të gjithë
niveleve të shoqërisë shqiptare. Institucionet shtetërore në nivel qendror dhe lokal,
organizatat e shoqërisë civile dhe media duhet të koordinojnë strategjitë e tyre në
mënyrë që të plotësojnë njëri-tjetrin.
Masat afatshkurtra
 Është e nevojshme ndërmarrja e një studimi ndërdisiplinor në shkallë
vendi, për të siguruar pamjen e plotë dhe specifikat e gjendjes së grave në situatë
gjakmarrjeje. Një studim tërësor do të mundësonte një kuptim më të thellë të veçorive
të secilit prej rajoneve të vendit.
 Aktorët institucionalë duhet t’i japin përparësi projekteve të zhvillimit në
zonat me zhvillim të ngadaltë apo të pazhvilluara. Gjakmarrja është më e përhapur në
zonat e thella ose informale/periferike, që do të thotë se ka nevojë për plane zhvillimi
që do t’i ndihmojnë këto komunitete të përshpejtojnë ritmet e zhvillimit dhe të
përmirësojnë kushtet e tyre ekonomike dhe sociale. Projektet e zhvillimit mund të
planifikohen si grande të kushtëzuara nga pjesëmarrja dhe kontributi i komunitetit,
sipas përvojës së krijuar tashmë. 27
 Krijimi i qendrave komunitare në të gjitha zonat ku dukuria ka intensitet
më të lartë, me qëllim që të sigurohen shërbime më efektive dhe të integruara. Këto
qendra ndër të tjera do të mund të koordinohen edhe me KSHNJ për përhapjen dhe
dërgimin e informacionit mbi mundësitë ekzistuese për ndihmë juridike dhe
përfaqësim ligjor falas të grave dhe familjeve në gjakmarrje.
 Gratë dhe familjet në gjakmarrje duhet të ndihmohen dhe fuqizohen
përmes ndërmjetësimit dhe pajtimit. Arbitrazhi i kryer nga një avokat i licencuar
mund të veprojë si një qasje alternative për të lehtësuar ndërmjetësimin midis
familjeve të përfshira në gjakmarrje dhe mund të ndihmojë për pajtimin (ligjor) mes
familjeve. Në këtë proces duhet mbajtur parasysh se mund dhe duhet të tërhiqen vetë
gratë e këtyre familjeve në gjakmarrje, që të luajnë rol aktiv në zgjidhjen e konfliktit.
 Agjencitë shtetërore, sidomos ato të zbatimit të ligjit dhe ato të drejtësisë,
duhet të bëjnë çmos për të hetuar, ndjekur penalisht dhe dënuar shkelësit e ligjit me
drejtësi, me qëllim që të parandalohet nevoja për vetëgjyqësi. Policia e Shtetit që ka
sot më shumë se kurrë më parë një efektiv grash dhe vajzash të përgatitura
profesionalisht, duhet t’i bëjë ato edhe më shumë, pjesë të procesit, veçanërisht të
parandalimit.
27
Për shembull, Projekti i UNDP “Armë në këmbim të zhvillimit”, Gramsh 1999
- 53 -
 Në rastet e kërcënimit për hakmarrje, duhet të merren masa të tjera më
të drejtpërdrejta për të ndihmuar familjet e përfshira të kapërcejnë vështirësitë dhe
zemërimin. Në këtë drejtim duhet të ndihmojnë shërbimet sociale dhe zyrtarët e
qeverisjes lokale, kryepleqtë, inspektorët e zonave etj., duke mbështetur kështu detyrën
e agjencive të ligjit.
 Fushatat e ndërgjegjësimit, të ndërmarra nga institucionet publike dhe
media, ndihmojnë njëkohësisht në informimin dhe edukimin e publikut të gjerë. Këto
fushata kur organizohen si duhet dhe arrijnë tek individi i bëjnë më të efektshme edhe
projektet kombëtare apo vendore që synojnë këtë grup vulnerabël. Shteti mund dhe
duhet të mbështesë strategjinë informative, por edhe financimin e fushatave të tilla
periodike edukative, në funksion dhe me qëllim të sigurisë së jetës së qytetareve të tij.

Masat afatmesme
 Mjaft studiues dhe aktorë të rëndësishëm 28 kanë theksuar nevojën për të
dhëna të sakta. Për të harmonizuar dallimet midis rezultateve, duhet të krijohet një
komitet shumë aktorësh, ku agjencitë shtetërore dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të
bashkëpunojnë mbledhjen dhe përpunimin me kujdes të të dhënave.
 Gratë në situatë gjakmarrjeje duhet të përbëjnë një grup me synim të
veçantë në të gjitha strategjitë kombëtare, deri në shuarjen e fenomenit, sidomos në
strategjitë që lidhen me sigurinë e jetës, luftën kundër dhunës, zhvillimin ekonomik,
rritjen e mirëqenies, integrimin evropian.
 Hartëzimi i detajuar i fenomenit të kthehet në një detyrim ligjor të
qeverisjes vendore me qëllim krijimin e një regjistri kombëtar të familjeve (dhe çdo
anëtari brenda tyre) që ndodhen në gjakmarrje, për t’iu adresuar specifikisht nevojave.
Regjistri do të evidentonte dhe lehtësonte menaxhimin e çdo rasti: familje/individ
(grua/vajzë).
 Hartimi i plani të veprimit për qëllimin e mësipërm, në çdo njësi vendore,
duhet të shoqërohet me tregues të matshëm të zhvillimit dhe fuqizimit gjinor.
 Krijimi në të ardhmen i mekanizmit të monitorimit lokal dhe qendror,
përgjegjës për vlerësimin e ndryshimeve të situatës së gjakmarrjes, do të ndihmojë në
marrjen e masave të përshtatura me ndryshimin e ndodhur.

28
Shih Raporti mbi veprimtarinë gjatë 2012 të institucionit të Avokatit të Popullit. Tiranë, maj 2013;
Nga deklarata për shtyp e Philip Alston, raporter special i Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB,
pas një misioni faktmbledhës në Shqipëri. Tiranë 23 shkurt 2010; Nga diskutimet e të gjithë
pjesëmarrësve në tryezën e rrumbullaktë, organizuar për marrjen e sugjerimeve me qëllim
përmirësimin e këtij studimi, 29 prill 2013.
- 54 -
 Më shumë duhet bërë për edukimin e të drejtave të njeriut, i cili duhet
përfshirë në kurrikulën shkollore të gjithë sistemit arsimor si dhe në modulet
trajnuese të komunitetit. Gratë, si edukatore tradicionale të vlerave shoqërore, duhet
të nxiten të jenë pjesë në këto trajnime. Kështu ato jo vetëm do të familjarizohen me
të drejtat e tyre dhe mënyrat efektive për të mbrojtur veten, por do të jenë edhe një
“shumëfishues” i rritjes së ndërgjegjes së grave dhe i rolit të tyre për të penguar
gjakmarrjen.
 Institucionet e shtetit duhet të ofrojnë më shumë mundësi punësimi për
gratë e këtyre familjeve. Vetëm fuqizimi ekonomik dhe bashkë me të integrimi social
aktiv, do t’i kthejë ato në aktore të dorës së parë për ta luftuar gjakmarrjen.

- 55 -
BIBLIOGRAFIA
--- (2010) Human Rights Report: Albania, Bureau of Democracy, Human Rights, and
Labor, Country Reports on Human Rights Practices, April 8, 2011
http://www.state.gov/g/drl/rls/hrrpt/2010/eur/154409.htm
---- Dokumenti zyrtar nr. 456/1, datë 19/02/2013, i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë
---- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Tiranë, 1998.
---- Kuvendi i Shqipërisë , Fletorja Zyrtare, nr. 44 datë 14.06.2005
Alston, Philip (2010) “Albania can do more to eliminate blood feuds and domestic
violence”, raporter special i Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB, Shih
http://www.un.org.al/subindex.php?faqe=news&newsid=211
ASHMDF (2012) Raporti Vjetor mbi Monitorimin e Ligjit “Për Mbrojtjen e të Drejtave
të Fëmijëve”, Tiranë.
Ballauri, Elsa (2012) “Si e përkthejmë gjakmarrjen”, Panorama, 3 shtator
http://www.panorama.com.al/2012/09/03/si-e-perkthejme-
gjakmarrjen/#ixzz2JwIfz78W
Çetta, Anton 1999 (ed.). Pajtimi i gjaqeve 1990–1991. Prishtinë: Instituti Albanologjik i
Prishtinës.
Charlesworth, Hilary. 2008. ‘Are women peaceful? Reflections on the Role of Women
in Peace-Building’. Feminist Legal Studies 16: 347-361.
Chinkin, Christine dhe Hilary Charlesworth (2006) “Building Women into Peace: The
International Legal Framework” Third World Quarterly, 27(5): 937-957.
Corbin, Juliet. M., and Strauss, Anselm C. (2008). Basics of qualitative research:
Techniques and procedures for developing grounded theory (3rd ed.).
Thousand Oaks, CA: Sage.
Durham, M. Edith. (2000) [1909]. High Albania: a victorian traveller’s Balkan odyssey.
London: Phoenix Press.
E drejta e jetës – e Drejtë universale. Konferenca Kombëtare “Shteti dhe Shoqëria
Civile në Mbrojtje të të Drejtës së Jetës”. Organizuar nga Avokati i Popullit dhe
Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe pajtimi i mosmarrëveshjeve”, 11-12
dhjetor 2001. Tiranë: Luarasi, 2002.
El Bushra, Judy (2007) “Feminism, gender and women’s peace activism” Development
and Change 38: 131–147.
Elezi, Ismet (2000) Vrasjet për hakmarrje e për gjakmarrje në Shqipëri. Tiranë:
Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut.
Elezi, Ismet (2005) Ndërmjetësimi për pajtim në konfliktet penale. Tiranë
- 56 -
European Commission (2011) Albania Progress Report 2011, Brussels, 12.10.2011
Gay, L.R and Airasian, P. (1992) Educational Research. New Jersey: Merrill Prentice
Hall.
Gellçi, Diana (2005) Gjakmarrja : Albanian highlander's "blood feud" as social
obligation, Tirana : AIIS
Gjuraj, Tonin (2000) Gjakmarrja në rrethet Shkodër, Malësi e Madhe. Shkodër:
Qendra "Dretësi dhe Paqe".
Historia e shtetit dhe e së drejtës në Shqipëri, Tiranë 1997, E drejta zakonore
shqiptare.
Instituti Albanologjik i Prishtinës (1999) Pajtimi i Gjaqeve 1990-1991. Prishtinë: GME-
Prishtinë.
Mile, Klementin (2007), “Blood feud : between kanun and state”, Instituti Shqiptar i
Studimeve Ndërkombëtare
Mustafaj, Donika (2007) "Jetë pezull", Panorama
Nurani, Marliana L. (2008) “Critical review of ethnographic approach”. Jurnal
Sosioteknologi 14(7): 441-447
Olsson, Louise (2000) Mainstreaming gender in multidimensional peacekeeping: A
field perspective, International Peacekeeping, 7:3, 1-16
People's Advocate (2013) Annual Report On the activity of the People's Advocate 1st
January - 31st December 2012
Pettifer, James and Miranda Vickers (2000) Albania: from anarchy to a Balkan identity,
C. Hurst: London
Plasari, Aurel (2000) Gjakmarrja midis realitetit dhe retorikës. (Studim). Shekulli 21-22
shkurt.
Pratt, Nicola & Sophie Richter-Devroe (2011) Critically Examining UNSCR 1325 on
Women, Peace and Security, International Feminist Journal of Politics, 13:4,
489–503
Rezoluta 1325 (2000) “Gruaja, Paqja dhe Siguria” e Këshillit të Sigurisë së OKB-së.
Shih
http://www.mpcs.gov.al/dpshb/images/stories/files/instrumentat_e_okb/3.2.1.13.Rez
oluta_1325_Gruaja_Paqja_dhe_Siguria.pdf
Semi, Ita (2012) “Gjakmarrja, një fenomen që vret prej shekujsh”
http://www.yllpress.com/56784/gjakmarrja-nje-fenomen-qe-vret-prej-
shekujsh.html

- 57 -
Shala, Xhavit (2003) Siguria Kombëtare dhe Sfidat e Integrimit. Tiranë: Qendra
Shqiptare e Studimeve për Sigurinë Kombëtare.
Simić, Olivera (2010) “Does the Presence of Women Really Matter? Towards
Combating Male Sexual Violence in Peacekeeping Operations”. International
Peacekeeping 17:2, 188-199.
Strauss, Anselm and Corbin, Juliet (1998) Basics of qualitative research: Techniques
and procedures for developing grounded theory (2nd ed.). Thousand Oaks, CA:
Sage.
The Telegraph (1 July 2010) Albania's modern-day blood feuds
Tinker, Irene (1990) The Making of a Field: Advocates, Practitioners, and Scholars.
Persistent Inequalities: Women and World Development. New York: Oxford.
Top Channel 12 shkurt 2011, Studimi i parë me të dhëna të sakta për familjet e
ngujuara në Rajonin e Shkodrës, realizuar nga Ambasada e SHBA-ve në Tiranë
& Forumi i Mendimit të Lirë. Marrë nga http://www.youtube.com/watch?v=Bj-
3ZYEJbsU [parë për herë të fundit më 10 shkurt 2013].
Tuckman, Bruce W. (1999) Conducting Educational Research. Orlando: Harcourt Brace
College.
UN (2013) Human Development Report, Summary.
UN Human Rights Council (20 May 2010) Report of the Special Rapporteur on
extrajudicial, summary or arbitrary executions, Addendum : Preliminary note on
the mission to Albania http://www.unhcr.org/refworld/pdfid/4c29b1152.pdf
UN National Report On the Status of Women and Gender Equality in Albania, 2011
UN Women (2012) Sourcebook on Women, Peace and Security, October 2012. Shih
http://www.unwomen.org/wp-content/uploads/2012/10/01-Overview.pdf
UNIFEM (2010) Vërejtje Përmbyllëse të Komitetit mbi Eliminimin e Diskriminimit ndaj
Grave.
US Department of State (2011) 2010 Human Rights Report: Albania.
Valentini, Giuseppe (2005) Mendime paraprake dhe të përgjithshme mbi Kanunin e
quejtun të Lekë Dukagjinit f.664 – 705.
Voell, Stéphane (2003) The kanun in the city. Anthropos 98: 85–101.
Willett, Susan (2010) “Introduction: Security Council Resolution 1325: Assessing the
Impact on Women, Peace and Security”, International Peacekeeping, 17: 2, 142-
158.

- 58 -
SHTOJCA
Lista e të intervistuarve
- Intervistat me gratë
12 raste, gra të intervistuara
- Ekspertët e intervistuar
Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda
Avokati i Popullit
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë
Zëvendësministre e Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta
Kryetare e Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve
Kryetari i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar
Përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë
Drejtuesja e Fondacionit Pro Jetës, Jo Gjakmarrjes, Tiranë
Mësuese dhe ndërlidhëse komuniteti, Bathore, Tiranë
The Door, organizatë jofitimprurëse, Shkodër
Hapat e Lehtë, organizatë jofitimprurëse, Shkodër
SOS-Fshatrat e fëmijëve, Shkodër
Ambasadorët e Paqes, organizatë jofitimprurëse, Shkodër
Mësues, Komuna Ana e Malit
Përgjegjësi i Sektorit të Shërbimeve Sociale, Bashkia Shkodër
Eksperte e

Pyetjet për përfaqësuesit e institucioneve shtetërore, organizatave dhe ndërmjetësit.


1. Prezantimi i institucionit, ekspertit dhe pozicionit të tij/saj.
2. Sipas mendimit tuaj si është situata e gjakmarrjes në vend?
3. Çfarë roli dhe pozicioni ka institucioni ku punoni në përballjen me
gjakmarrjen?
4. Bazuar në përvojën dhe informacionet që keni, mund të na përshkruani
mënyrën se si e menaxhojnë situatën familjet që ndodhen në gjakmarrje?

- 59 -
5. Cilat janë disa nga format e adaptimit që këto familje përdorin? Migrimi
brenda vendit? Emigrimi? Falja? Tjetër?
6. Si mendoni se ka ndikuar dhe ndikon gjakmarrja në gjendjen e grave dhe
vajzave të këtyre familjeve?
7. Si mendoni se ka ndikuar dhe ndikon ky fenomen në jetën e fëmijëve të
ngujuar, djem dhe vajza?
8. Çfarë masash mund të merren për ndryshimin e këtyre rrethanave? Nga
shoqëria civile? Nga shteti? Nga institucionet ndërkombëtare?
9. Çfarë roli luajnë dhe mendoni se mund të luajnë gratë në luftën kundër
këtij fenomeni?
10. Çfarë mund të bëhet për fuqizimin e grave dhe vajzave të këtyre
familjeve? Çfarë rezultatesh mund të ketë fuqizimi i tyre në trajtimin dhe
parandalimin e problemit të gjakmarrjes?

Pyetje për gratë në situatë gjakmarrjeje


A. Pyetje demografike
1. Mosha
2. Vendlindja
3. Vendbanimi
4. Shkollimi
5. Profesioni
6. Punësimi
7. Numri i anëtarëve të familjes/me cilët jetoni
8. Nëse familja ka migruar (brenda vendit)
- e gjithë familja është zhvendosur ?
- nëse Jo, ku jeton pjesa tjetër e familjes?
B. Pyetje përmbajtësore
1. Sa kohë keni në situatë gjakmarrje? Kur dhe kush është ngujuar nga
familja juaj? (bashkëshorti/babai/djali/tjetër kush)
2. Si ka ndryshuar jeta juaj pas ngujimit? Po jeta e fëmijëve tuaj?
3. Çfarë bëni gjatë ditës ? Po në kohën tuaj të lirë?
4. Cilat janë burimet e të ardhurave dhe të jetesës? Si i siguroni ato?
- 60 -
5. Çfarë bëni për të mbajtur/ndihmuar familjen? Çfarë dhe si mund të bëni
më shumë? Çfarë ju pengon?
6. Si e furnizoni familjen? Si ia bëni për shërbimet e ndryshme: shkollim,
shëndetësi etj?
7. Si i ruani fëmijët?
8. Si ua shpjegoni fëmijëve këtë situatë? Pyesin ata? E kuptojnë ç’po ndodh
apo i mbani larg informacioneve?
9. A diskutoni me pjesëtarët e familjes se si të dilni nga kjo gjendje? Çfarë
thoni? A diskutoni me të tjerë jashtë familjes mbi këtë situatë? Çfarë thuhet në këto
biseda?
10. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo situatë? Çfarë mund të bëni ju vetë
për ta zgjidhur këtë situatë? Kush tjetër mund t’ju ndihmojë dhe çfarë duhet/mund të
bëjë?
11. Cili mendoni që është fajtori për këtë situatë? Shteti, ligji, familja që jeni
në gjak?
12. Çfarë mund të bëjë shteti që t’ju ndihmojë?
13. Mendoni që duhet falur gjaku? Pse jo ose po? Cilat mendoni se janë të
mirat dhe të këqijat e faljes së gjakut (apo të vazhdimit të jetës në ngujim).
14. Nëse duhet falur si mendoni se duhet vepruar, kush duhet ta marrë
iniciativën? A e keni diskutuar këtë me pjesëtarët e tjerë të familjes? Pse jo?/Pse po?
Nëse po si ka qenë reagimi i tyre?
15. A njihni familje të tjera në situatë gjakmarrje? A keni kontakte me ta? A
jetojnë ata situata të ngjashme me situatën e familjes tuaj?
16. A njihni familje që e kanë falur gjakun? Si kanë vepruar? Si jetojnë ata
tani?
17. Si e mendoni të ardhmen? Cilat janë planet për fëmijët, për veten tuaj?

- 61 -

You might also like